Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani u prit sot nga Ministri i Punëve të Jashtme të Indisë, Subrahmanyam Jaishankar.
Ministri Hasani vlerësoi marrëdhëniet dypalëshe Shqipëri-Indi, teksa shprehu gatishmërinë e palës shqiptare për të forcuar dhe avancuar më tej këtë marrëdhënie. Sipas kryediplomatit shqiptar, rihapja e ambasadës së Republikës së Shqipërisë në New Dehli së shpejti, do të krijojë një bazë të fortë për thellimin e mëtejshëm të marrëdhënieve në fushën e ekonomisë, turizmit dhe jo vetëm.
Më tej, ministrat shkëmbyen mendime edhe për zhvillimet në rajonet respektive, duke theksuar se fryma e zgjidhjes së konflikteve me bisedime është kontribut thelbësor për paqen dhe sigurinë rajonale dhe më gjerë. Kjo është vizita e parë në 15 vite e një Ministri të Jashtëm të Shqipërisë në Indi.
Marrëdhëniet diplomatike mes Shqipërisë dhe Indisë u vendosën për herë të parë në vitin 1956.
Top Channel