Investimet në strukturat agroturistike vitet e fundit kanë njohur rritje, duke numëruar rreth 200 të tilla, por të certifikuara që plotësojnë kriteret përkatëse janë 34. Qeveria synon që të nxisë më tej këto investime, ndaj dhe ka hedhur për konsultim një dokument mbi ecurinë për tre vitet e ardhshme të këtij sektori. Enio Civici, zëvendësministër i Bujqësisë, i ftuar në “E-ZONE” tha se çfarë synon të arrijë qeveria me këtë dokument.
“Ne duam që agroturizmi të jetë një pol i ri ekonomik për jetën në fshat. Ndaj jemi duke bërë pikërisht këtë, po i japim shtysë investimeve të tilla që realizohen në fshat. Ne ofrojmë disa lehtësi fiskale me vendim qeverie për investimet në këtë fushë, por me dokumentin e hartuar po kërkojmë të shohim se si mund të mbështet më tej ky sektor, ndaj dhe po mbledhim mendimet e ekspertëve. Ajo që dua të them është që jo çdo restorant në fshat mund të konsiderohet agroturizëm, nuk është kjo qasja e qeverisë”, tha zëvendësministër i Bujqësisë.
Sipas Civicit shumë biznese duhet të aplikojnë që të certifikohen në mënyrë që të konsiderohet agroturizëm dhe jo restorante. Investime të tilla janë një mundësi e mirë për të frenuar dhe shpopullimin e fshatit.
“Na ka rezultuar se rreth 30% e investimeve në këtë sektor menaxhohen nga femrat. Ne duam që ta nxisim më të tej këtë shifër, sepse një strukturë e tillë ka ndikim edhe në punësim. Duke krijuar vende pune ne synojmë që të frenojmë braktisjen e të rinjve nga shtati. Dhe ky është fokusi i dytë që duam të arrijmë me këtë strategji”, tha Civici në E-ZONE.
Dy ministritë, si ajo e Turizmit dhe e Bujqësisë, synojnë që deri në vitin 2027 Shqipëria të ketë 100 struktura agroturistike të certifikuara./vizionplus.tv