Karnavalet në Gjermani/ Mëkate, harbim dhe tallje me të fuqishmit

9 months ago 25

Gjermania është përfshirë nga ethet e festës së karnavaleve.

Pas harbimit të së enjtes, kur karnavalistët vërshojnë rrugëve e lokaleve të qytetit, kremtimi mbyllet me procesionet e së hënës. Pak histori mbi këtë ritual.

Karnavalet që festohen sot i kanë rrënjët në një festë të organizuar në Këln që 2000 vjet më parë, gjatë së cilës njerëzit harronin për disa ditë jetën e përditshme. Në atë kohë Këlni quhej ende Colonia Claudia Ara Agrippinensium. Në qytetin e themeluar nga romakët, ashtu si në gjithë Perandorinë Romake, festohej Saturnalia, festa për nder të perëndisë Saturn.

Gjatë kësaj feste pihej shumë dhe kërcehej shumë, dhe për t’u bërë qejfin të gjithëve të pasurit i ndërronin veshjet e tyre aristokrate me fanellat e thjeshta të skllaveve dhe të skllevërve dhe viheshin madje në shërbim të tyre. Ata që nuk gëzonin liri, lejoheshin që gjatë ditëve të karnavaleve të kritikonin ashpër zotërinjtë për dënimet e ashpra që kishin dhënë ditët para karnavaleve. Në ditët e karnavaleve bota antike kthehej me kokë poshtë.

Organizohej madje një paradë me një karrocë që mbante një varkë. Latinisht kjo quhej “Carrus navalis” gjë që tingëllon si fjala karnavale. Banorët e Colonia Claudia Ara Agrippinensium-it visheshin me kostume karnavalesh dhe e shoqëronin karrocën e zbukuruar duke bërë zhurmë me daulle, flauta dhe duke duartrokitur.

Në Perandorinë Romake, shpesh Saturnalia binte në muajin dhjetor, ndërkohë që gjermanët festonin në pranverë një festë të madhe pagane. Ata vinin maska që ngjallnin frikë dhe bënin zhurmë me daulle dhe këmbana, për të trembur demonët e dimrit. Këtu ndodhen rrënjët e tjera të karnavaleve. Ky zakon shfaqet edhe sot në karnavalet që festohen në jug të Gjermanisë, ditën para kreshmëve.

Si u kthyen karnavalet në festë fetare?

Kur Perandori Konstantin e ktheu krishtërimin në fe shtetërore në vitin 343, Saturnalia nuk u festua më. Dhe zakoni pagan i gjermanëve, nuk shihej me sy të mirë nga kisha. Meqenëse ishte e vështirë që t’i ndaloje njerëzit që të festonin, festa u transformua. Ajo nuk organizohej më për të dëbuar shpirtërat e këqinj, por për të përzënë djallin, armikun kryesor të krishtërimit.

Data kur organizohej festa u fut në liturgjinë e vitit kishtar. Në periudhën midis së mërkurës së hirtë dhe të shtunës së shenjtë, besimtarët duhet të hanin pak dhe të luteshin shumë. Para fillimit të agjërimit të gjatë që bëhet para Pashkëve, organizohej një festë e madhe gjatë së cilës i thuhej lamtumirë mishit – latinisht mish “carne” dhe lamtumirë “vale“.

Kështu karnavalet u kthyen në festë fetare, që u rrënjos sidomos në rajonet katolike, jo vetëm të Europës. Pushtuesit nga Spanja dhe Portugalia i çuan karnavalet në Karaibe, në Amerikën Qendrore dhe Jugore. Madje me sukses. Në Rio de Zhaneiro çdo vit mijëra vetë festojnë në rrugë një festë të madhe nën tingujt e sambës. Por kjo është tjetër histori.

I kthehemi botës së vjetër: Vërtet që karnavalet u vendosën nën drejtimin kishtar, por priftërinjtë dhe ipeshkvët vazhdonin t’i shihnin me shqetësim aktivitetet e “karnavalistëve”. Megjithatë ata i duruan talljet që populli u bënte ritualeve fetare ditëve të karnavaleve duke zgjedhur madje një “Papë të karnavalistëve” i cili hynte në kishë hipur mbi një gomar.

Këngë tallëse, ballo me maska dhe shumë harbim

Por jo vetëm kisha, edhe drejtuesit e qytetit duhet të vendosnin si duhet të festoheshin karnavalet. Zejtarët këndonin këngë tallëse në sheshet publike dhe para bashkive, kurse xhonglerët dhe humoristët jepnin shfaqje nëpër rrugë. Nga ana tjetër shtresa e lartë qytetare festonte me stilin e vet. Për shembull princi i Këlnit, Clemens August organizonte çdo vit një ballo mbresëlënëse me maska, ku merrnin pjesë drejtuesit e kishës dhe dhjetë mijë më të pasurit e qytetit.

Kur trupat e Napolonit pushtuan Renaninë dhe Këlnin, metropolin e festimeve, populli i harbuar filloi të shihej me sy skeptik dhe karnavalet përkohësisht u ndaluan. Kjo gjë nuk ishte e lehtë, sepse të harbuarit vazhduan të festonin, jo më në rrugë, por në taverna.

Në vitin 1815 në Këln erdhën prusianët. Qyteti ra nën sundimin e Prusisë. Pushtuesit nuk i ndaluan aktivitetet e të harbuarëve të kësaj feste, që sipas artikujve të gazetave, filloi të degradonte gjithnjë e më shumë: “Është përhapur shfrenimi i pacipë dhe kotësia. Kështu nën maskën e të krisurit, bëhen shumë marrëzi dhe shumë maska janë imorale dhe të pacipa.

Karnavalet zhvillohen të organizuara

Qytetarët me ndikim të Këlnit nuk donin ta lejonin më një gjë të tillë. Ata krijuan “Komitetin për organizimin e festës, i cili në vitin 2023 festoi përvjetorin e 200-të të krijimit. Po ashtu u krijua figura e heroit të Karnavaleve, i cili duhet ta kthente në rrugën e duhur “degjenerimin e aktiviteteve që kishin zanafillë fisnikedhe duhet të shmangte të gjitha të këqijat, për të arritur ditën që të parakalonte në paradën e Këlnit organizuar të Hënën e Trëndafilave, të hënën para së mërkurës së kreshmës.

Heroi i karnavaleve kthehet më vonë në princ të karnavaleve. Që nga viti 1883, ai ka pasur në krah virgjëreshën e Këlnit, gjë që simbolizon qytetin e lirë të Këlnit, që nuk është përulur para asnjë force të huaj. Rolin e virgjëreshës e luan një burrë i veshur si grua, sepse shoqatat e karnavaleve kanë qenë trandicionalisht dhe janë edhe sot thjesht shoqata burrash.

Figura e fshatarit me kopan në dorë shihet si simbol i fuqisë mbrojtëse të Këlnit. Ky triumvirat bashkëqeveris qytetin gjatë një sezoni të tërë, duke qëndruar në krye të karnavalistëve të harbuar.

Në vende të tjera të Renanisë sundimin e marrin çiftet princërore, por pavarësisht nga kjo të gjithë ata kanë një gjë të përbashkët: Më 11.11, pra më 11 nëntor, në orën 11:11′, ata hapin sezonin e karnavaleve, kurse karnavalet në rrugë fillojnë ditën kur nisin karnavalet e grave, po ashtu në orën 11:11′ të enjten pas mbylljes së kreshmës një ditë më parë.

Shifra magjike 11

Data 11, datë me shifër teke, është një shifër e krisur, një numër i marrë siç thuhej në Mesjetë. Në atë kohë më 11 nëntor fillonte dita e shenjtë e Shën Martinit, një periudhë agjërimi që zgjaste deri para fillimit të Krishtlindjeve. Kështu njëmbëdhjeta prezantonte barazinë midis gjithë të marrëve: dy njësha njëri pas tjetrit, asnjë shifër tjetër nuk ka vlerë më të madhe se kjo. Pëveç kësaj, kjo shifër ka një domethënie fetare: Njëmbëdhjeta, është një më shumë se dhjetë gishtërinjtë dhe një më pak se dymbëdhjetë apostujt, pra as gjysmë, as krejt, e mbushur pra plot me mëkate.

Liria e harbimit të karnavalistëve

A ka mëkatuar njeriu në stinën e pestë të vitit, siç quhet periudha e karnavaleve? Si në kohën e romakëve të vjetër edhe sot, karnavalistët i bën bashkë një gjë: ata thyejnë kufijtë dhe kritikojnë shtresat e larta. Pavarësisht se ku, si në fjalimin e shkruar me dorë kur dikush hipën në skenë dhe flet troç për politikanet dhe politikanët, ose në karrocat e parakalimit të së Hënës së Trëndafilave, ku po ashtu satirizohet gjendja e keqe dhe politika botërore, apo në zgjedhjen e kostumit të karnavaleve nga gjithësecili. Edhe me kostumin e karnavaleve bëhet protestë, kur dikush për shembull vishet si glob i nxehtë, ose si bankier që si peshkaqen gllabëron financat.

Sidoqoftë prej disa vitesh është shtruar pyetja nëse disa kostume karnavalesh janë raciste dhe ofendojnë kulturat e tjera, për shembull duke lyer fytyrën me bojë të zezë. Po ende nuk ka plane për t’i ndaluar maska të tilla, sepse një gjë e tillë nuk është e mundshme të zbatohet në qytete ku mijëra vetë dalin rrugëve në festë.

Sipas Komitetit të Karnavaleve në Këln është e qartë se “Karnavali i Këlnit” prezanton vlera të caktura. Këtu bëjnë pjesë liria e karnavalistëve, po ashtu si dhe toleranca, respekti dhe shumëllojshmëria. Secili duhet t’ia bëjë vetë pyetjen vetes nëse kostumi që zgjedh ofendon të tjerët, apo jo. Sepse alternativat janë pa fund, fantazia gjatë karnavaleve nuk njeh kufij. /DW

Top Channel

Read Entire Article