“Kemi ndërtuar shkollat më të mira që janë model në gjithë vendin”/ Veliaj në Njësinë 11: Një nga zonat më të transformuara të Tiranës

8 months ago 12

Nga Lapraka, gjatë takimit për të mikpritur anëtarët më të rinj të Partisë Socialiste të Njësisë 11, drejtuesi politik i qarkut të Tiranës, Erion Veliaj tha se kjo është një nga zonat që ka pasur një transformim rrënjësor dhe ku është rritur ndjeshëm vlera e pronës.

“Shikoni si është bërë hyrja e Laprakës. Te sheshi “Shqiponja”, makinat bëheshin mullar. Sot, edhe pse nuk ka mbaruar edhe pjesa tjetër e Unazës, që është në punë e sipër, është si dita me natën. Kur mendoj shkollën “Andrea Stefani”, me emrin e nderuar, sot është bërë një ndër shkollat më të kërkuara të lagjes. Sot futen mik për të shkuar tek parashkollori aty, jo më tek shkolla. Ne 5 shkollat më të mira që kemi bërë, të pesta bashkë, në Njësinë 11, janë sot model në Republikë. Nga një vend që konsiderohej periferi, sot falë politikës së mirë është bërë një realitet komplet ndryshe, komplet pozitiv dhe modern”, tha Veliaj.

Ai shprehu bindjen se do vijojë puna për përfundimin e plotë të Unazës së Madhe në dy krahët e saj. Veliaj nënvizoi se Bashkia e Tiranës do kujdeset që banorët të shpronësohen dhe t’u paguhet qiraja derisa të ndërtohen pallatet.

“Ashtu siç tek Astiri është stabilizuar gjithë trafiku, ashtu si edhe drejt “Zogut të Zi” shkojnë më pak makina, se pjesa më e madhe, sipas studimit 70% e trafikut shkon në drejtim të Astirit, për të vijuar në pjesën jugore të Tiranës, duam që edhe për ata që shkojnë në pjesën veriore, të mbarojë edhe ky segment. Por po kujdesemi që të ecin punët siç duhet. Janë bërë rrugë edhe më parë në Shqipëri, vihej ruspa e s’pyeste njeri. Kjo është hera e parë kur ne themi: tek “5 Maji”, e di që është pa leje tek Bregu i Lumit, e di që ke marrë rrezik të madh, sa herë dilte lumi por fillimisht do rregullojmë lumin, pastaj përveç se të bëjmë shtëpitë e tërmetit, do marrësh edhe ti po aq metra katrorë sa kishe, edhe po s’ishin të legalizuar. Të njëjtën gjë po bëjmë tek Lana, të njëjtën gjë po bëjmë edhe këtu tek njësia 11, ku Bashkia do paguajë qiranë, derisa të ndërtohen pallatet, që edhe puna të bëhet.

Pra, edhe të bëjmë një super punë infrastrukture, por edhe ta bëjmë këtë me njerëzillëk, pa arrogancë, pa dhunë, pavarësisht se gjithmonë ka parti politike që duan t’i përdorin këto. Por, siç e i keni parë janë si ai cirku shëtitës. Mbaron cirku tek “Astiri”, shkojnë tek “5 Maji”; mbaron tek “5 Maji” shkojnë tek Lana. Me njerëzit rri vetëm Partia Socialiste. Mban fjalën vetëm lidershipi i atyre që zgjedh Partia Socialiste në qeveri e bashki dhe është vetëm kjo forcë që rri me njerëzit, jo vetëm kur vjen dita e votimit, por edhe në ditë si sot, që jemi një vit larg votimit dhe jemi duke u marrë me këto punë, për të treguar që nuk jemi një forcë që kujtohet vetëm kur i vjen vakti, por jemi një forcë që punojmë përditë e përditë e përditë”, përfundoi Veliaj.

Top Channel

Read Entire Article