Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Europian kanë caktuar misionet përkatëse të asistencës të cilat do të monitorojnë dhe asistojnë veprimtarinë e Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Mirëqeverisjen, Sundimin e Ligjit dhe Antikorrupsionin.
Përmes një reagimi në Facebook, Ambasada Amerikane tregon edhe pritshëmritë që ka nga puna e këtij Komisioni.
Në krye të misionit të SHBA do të jetë drejtuesja e misionit të OPDAT, Mary Kate. Ndërsa në krye të misionit të Bashkimit Europian, do të jetë Agnes Bernhard, një emër i njohur për shqiptarët si ish-drejtuese e misionit të EURALIUS, e cila punoi gjatë implementimit të reformës në drejtësi disa vite më parë.
Ambasada e SHBA-së: Si partnerë të palëkundur të përpjekjeve të Shqipërisë për të çuar përpara reformat e nevojshme për anëtarësim në BE, Ambasada e SHBA do të angazhohet me komisionin e posaçëm për mirëqeverisjen, anti-korrupsionin dhe sundimin e ligjit. Ne presim që puna e komisionit të jetë përfshirëse dhe transparente, në përputhje me kushtetutën, në mbrojtje të pavarësisë së institucioneve, si dhe të përmirësojë të ardhmen e Shqipërisë.
Komisioni i Posaçëm Antikorrupsion drejtohet nga Fatmir Xhafaj dhe u miratua me shumicë votash nga mazhoranca më 6 qershor.
Objektivi
Komisioni do zhvillojë veprimtarinë e tij në një afat kohor 10 mujor. Në rast nevoje, me kërkesë të arsyetuar të komisionit, Kuvendi mund të vendosë zgjatjen e afatit të ushtrimit të veprimtarisë së komisionit.
Komisioni i Posaçëm ka për qëllim kryesor të tij të drejtojë e koordinojë një proces të thelluar reformimi, me synim:
1) përmirësimin dhe konsolidimin e praktikave të mirëqeverisjes në të gjitha nivelet,
2) thellimin e luftës kundër korrupsionit dhe
3) forcimin e mëtejshëm të zbatimit të ligjit, duke patur si udhërrëfyes gjetjet dhe rekomandimet e raporteve të Bashkimit Evropian dhe raportit Screening të Komisionit Evropian./vizionplus.tv