Koncert në nder të Liljana Cingut, ansambli vjen sot në mbrëmje në TKOB me një kolazh këngësh e vallesh

5 months ago 15

Kontributi i Valltares Liljana Cingu, e ndarë nga jeta pak kohë më parë, vijon të jetë i gjallë në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit. Me një kolazh këngësh e vallesh nga veriu në jug, të repertorit më të njohur të saj, ansambli po bëhet gati të vijë pranë publikut sonte në mbrëmje, me koncertin “Mbretëresha e vallesh shqiptare, Lili Cingu”.

“Kjo është një pjesë e valleve ku ne kemi sjellë Lili Cingun të gjallë mes nesh me vallet më të spikatura që ajo ka kërcyer. Një nga vallet më emblematike që ka kërcyer është “Vallja e Rexhës” “Vallja e Shqipeve” po ashtu “Vallen Çame”, ku me nuancat e saj bënte për vete publikun, kemi dhe “Vallen Cigane”, tha valltari Leonard Mitrushi.

Ky koncert është një moment i veçantë në karrierën e valltarëve të rinj, të cilët Lili Cingun e kanë patur shembull jo vetëm për individualitetin e spikatur, por edhe për prezencën skenike dhe pasionin për vallen shqipe.

“Të performosh valle të cilat i kanë interpretuar ikonat më të mëdha të ansamblit siç është mbretëresha e valles Liljana Cingu, por ajo ka kërcyer në krah të Besim Zekthit e Rexhep Çelikut, kusht që dhe unë që jam djalë e ndjej atë peshën se si duhet të jem në skenë”, u shpreh valltari Endri Sejati.

“Sigurisht që ka ndikuar shumë Lili Cingu ka qenë idhulli  im dhe po mundohemi sa më shuam të marrim ato nuancat e saj edhe pse ajo është e pazëvendësueshme”, tha valltarja Katerina Konini.

Artistja e mirënjohur, e cila u nda nga jeta në shkurt të këtij viti, ishte një nga valltaret më të njohura shqiptare, e nderuar me disa tituj për karrierën e saj artistike, si “Nderi i Kombit” dhe “Mjeshtër i madh”. /vizionplus.tv

Read Entire Article