Konsensus në Bruksel, jo në Kuvend, Tabaku: Mbështes aksionin e opozitës, por jo bllokimin e Parlamentit

9 months ago 25

Një ditë pas Komitetit të Stabilizim-Asocimit në Bruksel, kryetarja e Komisionit të Integrimit Jorida Tabaku shpjegoi pse u arrit konsensusi me Partinë Socialiste edhe pse prej 5 tetorit opozita ka tentuar të bllokojë çdo mbledhje të parlamentit.

Sipas Tabakut kompromisi u arrit për shkak se dy shqetësimet e opozitës, reforma zgjedhore dhe komisionet hetimore, u përfshinë tek rekomandimet finale.

“Jemi mësuar që komitetet e përbashkëta mbyllen pa një rezolutë të përbashkët, por për mua e rëndësishme është që shqetësimet që ka opozita të jenë të reflektuara të gjitha atje. Ne nuk mund të sillemi dot sikur ka normalitet edhe në parlament, edhe atje. Por unë besoj që mënyra më e mirë për të çuar para çështjet janë argumentet dhe idetë dhe mbi këto u bazuam edhe për arritjen e rezolutës”, tha Tabaku.

Por konsensusi në Bruksel duket se mbetet një rast i izoluar në marrëdhëniet mes opozitës dhe mazhorancës. Tabaku ka ngritur shqetësimin për vendimin e fundit të PS për ngritjen e një grupi pune për institucionet e pavarura.

“Nuk është parë ndonjëherë që një grup pune partie të mbikëqyrë e të kontrollojë institucionet e pavarura të drejtësisë duke tentuar në këtë rast sigurisht edhe një formë presioni”, tha Tabaku.

Kryetarja e Komisionit të Integrimit ka respektuar vendimin e grupit parlamentar të PD për të mos lejuar asnjë mbledhje normale të parlamentit, por ajo vetë sqaron se është kundër kësaj strategjie.

“Grupi parlamentar i PD është i drejtë në betejën që ka, është i drejtë në arsyet pse sot është duke protestuar. Por unë nuk jam dakord me mënyrën e protestës”, tha Tabaku.

Prej 5 tetorit kur filloi aksioni i opozitës për bllokimin e parlamentit, Tabaku nuk ka thirrur asnjë mbledhje të Komisionit të Integrimit dhe nuk iu është bashkuar kolegëve të saj në aksionin për bllokimin e seancave plenare, por ajo mbështet kërkesën e deputetëve demokratë për komisionin e reformës zgjedhore dhe komisionet hetimore./vizionplus.tv

Read Entire Article