Sapo arrin në stacionin rajonal të trenit të qytetit të Frankfurtit, gjëja e parë që ndesh janë posterat e AfD-së së ekstremit të djathtë. “Dëbojini tani!” Posterat bëhen më të shpeshtë ndërsa i afroheni urës që ndan Gjermaninë dhe Poloninë.
“Paqe, tani!”, thotë një tjetër poster i AfD-së dhe më tej shfaqen postera me fytyrën e Sarah Ëagenknecht, ashtu si në Turingi dhe Saksoni. Frankfurt an der Oder ndodhet në shtetin e Brandenburgut, i cili të dielën e ardhshme do të ketë zgjedhje vendimtare, teksa aty kryeson AfD në sondazhet e opinionit.
“Nuk shkon më”
Kontrollet e njerëzve dhe automjeteve në kufirin mes Gjermanisë dhe Polonisë kanë qenë në fuqi prej një viti. Banorët janë njohur me pezullimin ‘de facto’ të Marrëveshjes Shengen në rajon, edhe nëse zyrtarisht është me një kohëzgjatje të caktuar. Zgjatja e kontrolleve për gjashtë muaj të tjerë nuk është befasi, por më tepër acarim për shumëkënd, për pritjen në postën kufitare të ngritur me kontejnerë.
Nga ana tjetër, këto kontrolle kanë mbështetjen e shumë banorëve. Një shofer taksie, i prononcuar për mediat ndërkombëtare, thotë se më 22 shtator qytetarët do të dërgojnë mesazhin se “nuk shkon më” dhe se “duhen dhënë ndihma dhe shtëpi për gjermanët”.
Një tjetër pensionist, i cili kalon urën çdo ditë për të shkuar në Poloni, gjithashtu pajtohet me rritjen e kontrolleve kufitare tani në të nëntë kufijtë e vendit. “Më duket kënaqësi të vazhdoj kontrollet kufitare për një kohë të gjatë. Sigurisht për emigracionin e parregullt”, thotë ai.
‘Kontrollet e bazuara në paragjykim’
Duke pritur në kufi shikohen imazhe të përziera, të cilat i referohen një ideje evropiane që dikur dukej si shpresë dhe tani po “vdes” dalëngadalë. Flamujt e Polonisë, Gjermanisë dhe BE-së valojnë pranë lumit Oder. Në lumë një tjetër flamur evropian, lufton me erën.
Radhët janë të gjata në orët e pikut. Punonjësit e policisë ndalojnë automjetet dhe këmbësorët për kontroll. Ata i quajnë kontrolle në vend , por asgjë dhe askush nuk mund të kalojë në këtë pikë pa u regjistruar. Nga njëra anë kamerat dhe armatimi i rëndë, i dukshëm i policëve, nga ana tjetër kontrolli që ata bëjnë.
Një student turk që studion në të dy qytetet, në vijim të një programi të përbashkët universitar, thotë se prej një viti kontrollet edhe tek studentët janë thuajse të përditshme dhe irrituese. Përsa i përket mënyrës se si funksionojnë, ai thotë: “Nëse dikush është si unë, pra qytetar jo i BE-së me flokë pak të errët, atëherë zakonisht të kontrollojnë. Me sinqeritet, këto kontrolle janë të njëanshme dhe ju stresojnë.”
“Izolimi nuk është zgjidhje”
Për studentin turk është e kuptueshme që Gjermania dëshiron të kontrollojë emigracionin e parregullt dhe duhet të ketë kontrolle. “Por ashpërsia dhe kohëzgjatja e këtyre kontrolleve janë të rëndësishme,” thotë ai.
Një grup aktivistësh të rinj janë gjithashtu në kufi, duke luajtur muzikë dhe duke mbajtur pankarta me slogane në favor të kufijve të hapur. Njëri prej tyre ndalon dhe na flet: “I shikoj me kritikë kontrollet, se nuk besoj se e zgjidhin problemin. Nuk i zgjidhin problemet në vend. Na duhen shumë më tepër para për integrimin e refugjatëve, për ndërtimin e shtëpive dhe qirave të arsyeshme dhe për pensionet. Izolimi nuk na çon përpara”./vizionplus.tv