Kosova Business Forum, Veliaj: Tirana dhe Prishtina dy qytetet për t’u marrë shembull

7 months ago 38
Reklamë

Këto ditë po mbahet në Prishtinë forumi më i madh i biznesit “Kosova Business Forum”, ku temë kryesore është “Prishtina 2030 – Udhëheqja e rrugës drejt një kryeqyteti të së ardhmes”.

I pranishëm në ceremoninë e hapjes së këtij forumi ishte edhe kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj. Ai tha se Tirana dhe Prishtina janë dy qytete që duhen marrë shembull.

Veliaj: Duhet ta pranojmë faktin se Tirana dhe Prishtina do të vazhdojnë të rriten, ndërsa komunat e tjera, edhe pse na vjen keq, do të vazhdojnë të tkurren. Është e pashmangshme. Kjo do të thotë se Prishtina është e destinuar të jetë motori i ekonomisë së Kosovës. Është gjëja më e thjeshtë të ulesh në shkallët e stadiumit e t’i tregosh tjetrit si bëhet goli; është gjëja më e thjeshtë të tregosh si ta shtrish tjetrin në tapet të xhudos; është gjeja më e thjeshtë të shash e të komentosh keq dikë; është më e vështirë të jesh pozitiv, më vështirë të jesh optimist, më e vështirë të jesh inkurajues; më e vështirë të jemi bashkë-aksionerë të këtij zhvillimi e këtij vizioni. Faleminderit që po e mbështesni vëllanë tim, mikun tim, Përparimin, në këtë vizion të tij të 2030-ës. Unë besoj se ai vizion mund të jetë edhe vizioni juaj. Ku do jetë kompania juaj në 2030-ën? Ku do jetë investimi juaj në 2030-ën? Ku do jetë stafi juaj në 2030-ën? Jam i bindur se nëse secili prej jush e pyet veten ku do jetë në 2030-ën, përgjigja do jetë në një Prishtinë që zhvillohet, që ecën shpejt e vrapon pa u ndalur”.

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, falenderoi kryebashkiakun Veliaj për praninë e tij në këtë aktivitet të rëndësishëm për fushën e biznesit, ndërsa tha se Prishtina merr shembull nga Tirana në shumë fusha.

Veliaj: Jam krenar që ofrojmë një platformë vendimtare për nxitjen e lidhjes dhe bashkëpunimit që tejkalon të tashmen dhe vendos gur themelin e një zhvillimi ekonomik të qëndrueshëm për dekadat e ardhshme. Në një epokë ndryshimesh dinamike globale është e domosdoshme që të bëhemi bashkë për të diskutuar dhe për të formësuar të ardhmen e kryeqytetit tonë. Prishtina ka një rini me një potencial të jashtëzakonshëm dhe i kemi të gjitha kushtet që të bëhemi lider në fushën e biznesit, në fushën e artit, në fushën e sportit, në fushën e kulturës dhe teknologjisë. Ne po mësojmë shumë nga Tirana. Në vitin 2023 Tirana ishte “Qytetit Europian i Sportit” dhe Prishtina sivjet mban me krenari Qyteti Europian i Sportit 2024; pra, po e ndjekim hapin e Tiranës. Përgëzoj përzemërsisht mikun tim, Erionin, që na ka nderuar me prezencën e tij sot dhe ju uroj për atë arritje madhështore që ka pasur Tirana si “Qyteti Europian i Sportit” gjatë vitit që lamë pas”, u shpreh kreu i Komunës së Prishtinës.

Përmes “Kosova Business Forum”, synohet forcimi i lidhjeve mes sektorit publik dhe atij privat, si dhe synohet inkurajimi i bashkëpunimit ndërkombëtar dhe promovimi i Prishtinës si një destinacion atraktiv për investime.

Top Channel

Read Entire Article