Bizneset e prekura nga kriza, fillimisht e pandemisë dhe më pas e zhvlerësimit të euros, do të marrin kredi më kushte më lehtësuese, duke dalë shteti garantë. Endrit Yzeiraj, gjatë një interviste për emisionin “E-ZONE” në Vizion Plus, tha se kjo garanci shtetërore do të zbusë kostot e kredisë në treg. Por sipas tij, normat e interesit nuk mund të jenë më të ulëta se bonot e thesarit 12- mujore.
Pavarësisht kërkesave të biznesit, kredia nuk mund të jepet më pak se norma e interesit të boneve të thesarit, pra 3.5-3.6%. Më pak se kaq do të thotë që të subvencionosh edhe normën e kredisë. Në çdo rast kjo normë interesi është më e ulët se ajo e një kredie normale. Gjithsesi modalitet ende nuk janë fiksuar, – tha Yzeiraj në E-ZONE.
Por kush do të përfitojë kredi me garanci shtetërore?
Ne mendojmë që duhet të vijojmë të mbështesim ato biznese, që janë solide dhe që kanë nevojë për likuiditet apo kanë nevojë të investojnë më tej në përmirësimin e teknologjisë. Jemi në diskutim me bankat për të përcaktuar analizën e riskut dhe për ato biznese që janë në vështirësi financiare. Por fokusi do të jetë tek ato që kanë rekorde pozitive pagesash, – sqaroi Yzeiraj.
Aktualisht norma mesatare e kredisë hipotekore në lekë nga muaji dhjetor arriti në 4.4%.