“Krenar”, Rama: Shqipëria do të ngrejë flamurin e Skënderbeut e të Ismail Qemalit në oborrin e BE-së më 2030

4 hours ago 28

Ditën e djeshme, 15 tetor, Shqipëria çeli negociatat për grup-kapitullin e parë me Bashkimin Europian.  Komisioneri për zgjerim Oliver Varhelyi u shpreh optimist për rrugën e Shqipërisë drejt BE-së. Ndërsa ministri hungarezi Punëve të Jashtme Péter Szijjártó theksoi nevojën e zgjerimit të BE-së.

Kreu i qeverisë, Edi Rama, ditën e sotme, përmes një postimi në Facebook shprehet optimist se Shqiëpria do të arrijë të hyjë në BE brenda vitit 2030.

“Mirmëngjesi dhe me krenarinë e një dite të paharrueshme, ku Shqipëria u ul plot dinjitet në tryezën e bisedimeve për anëtarësim me Europën e Bashkuar, me të gjithë forcën e të vërtetave të arritjeve të mundimshme të këtyre viteve, të cilat morën të gjithë vlerësimin e merituar më në fund, si edhe me bindjen më të fortë se kurrë se Shqipëria 2030 do të ngrejë flamurin e Skënderbeut e të Ismail Qemalit në oborrin e Familjes së Europës së Bashkuar në Bruksel, ju uroj të gjithëve një ditë të re të gëzuar”, shkruan Rama.

Kryeministri Edi Rama ndodhej dje në Luksemburg, së bashku me Ministrin për Evropën dhe Punët e Jashtme Igli Hasani, Ministren e Shtetit dhe Kryenegociatoren Majlinda Dhuka, Ministren e Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin Adea Pirdeni, si dhe një delegacion të përbërë nga negociatorët përgjegjës për kapitujt përbërës të grupkapitullit të parë.

Kapitujt negociues ndahen në gjashtë grupime tematike: Themeloret; Tregu i brendshëm; Konkurrueshmëria dhe rritja gjithëpërfshirëse; Axhenda e gjelbër dhe lidhja e qëndrueshme; Burimet, bujqësia e kohezioni; dhe marrëdhëniet me jashtë.

Read Entire Article