Kujdes nga gripi i syrit! Mjeku okulist tregon gabimin që bëjnë pacientët: Ka pasur raste kur kanë humbur shikimin

8 months ago 22

Virozat që qarkullojnë ne vend këtë dimër po shoqërohen shpesh edhe me shtimin e rasteve me Konjuktiviti adenoviral, ose  siç quhet ndryshe gripi i syrit. Shifrat e personave të prekur nga gripi i syrit janë në rritje, por nuk jemi në nivelin e një epidemie si ajo e 2019. Mjeku okulist, Rubin Topi, në një lidhje të drejtpërdrejtë me emisionin “7pa5” të moderuar nga Alma Çelaj dhe Syrjan Rahova ka treguar se cilat janë shenjat e para të gripit të syrit.

Mjeku Topi : Si çdo vit ka një rritje të rasteve me gripin e syrit. Është një infeksion viral i shtresave sipërfaqësore të syrit. Automatikisht është e lidhur me infeksionet virale të stinës. Ka raste kur dallimi mes gripit të syrit dhe alergjisë është pak i vështirë. Zakonisht personat që kanë gripin e syrit zgjohen me kapakun e syrit të ngjitur me sklepat. Sasia e sklepave është e shtuar dhe këta persona kanë diçka tipike sikur kanë diçka në sy. Skuqja është më specifike se sa skuqja në rastet me alergjinë e syrit. Ajo ç’ka ne i druhemi më tepër është që mos preket kornea, që në rastet e gripit të syrit është më e shpeshtë.

Mjeku okulist Rubin Topi këshillon qytetarët që në momentin që kanë shqetësime në sy dhe një situatë e tillë vazhdon për disa ditë, të konsultohen menjëherë më specialistin, pasi sipas tij është një virus i rrezikshëm që nëse nuk trajtohet ul nivelin e shikimit.

Mjeku Topi: Gabimi që ndodh te ne është që pacientët paraqiten direkt në farmaci dhe marrin një preparat të zakonshëm. Preparati jo se është i gabuar, por ai kthehet i gabuar nëse jepet i vetëm. Duhet të shoqërohet patjetër me preparate të tjera, siç janë lubrifikantët, lot artificial dhe antiviral. Ekzistojnë pomada që janë specifike antivirale. Në shumicën e rasteve shoqërohet edhe me antiviral që merret nga goja. Personat e prekur duhet të paraqiten patjetër te mjeku specialist se bëhet fjalë për dritën e syve.

Mjeku tregon se ka pasur edhe raste kur personat e prekur me gripin e syrit kanë humbur shikimin për shkak të neglizhencës.

Mjeku Topi: Është e rrezikshme nëse preket kornea, xhami i syrit. Ajo që ne i druhemi më shumë është fakti që ka një komplikacion, shpesh herë që mund të lejë njolla, depozitime të bardha te korenea, xhami i syrit. Automatikisht një komplikacion i tillë te pacienti krijon problem me shikimin. Në njëfarë mënyrë pacienti invalidizohet. Kemi pasur raste edhe kur pacienti ka humbur shikimin. /vizionplus.tv

Read Entire Article