Kujtohet Konferenca e Pezës, Veliaj homazhe në Varrezat e Dëshmorëve

1 month ago 31

Në 82-vjetorin e Konferencës së Pezës, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj mori pjesë sot në homazhet në Varrezat e Dëshmorëve, për të kujtuar këtë ngjarje historike.

“Falenderime për të gjithë ata që u mblodhën bashkë para 82 vitesh me vizionin se kur shqiptarët bëhen bashkë, bëjnë gjëra të mrekullueshme. Ashtu siç thoshte Konferenca e Pezës, përtej çdo dallimi, përtej çdo krahine, përtej çdo feje, përtej çdo ideje, jemi shqiptarë, jemi bashkë dhe kur bashkëpunojmë ne bëjmë gjëra të mrekullueshme. Jam shumë krenar që, jemi këtu sot së bashku me qytetarët, familjet e dëshmorëve, familjet e veteranëve dhe të gjitha familjet e të rënëve”, tha Veliaj.

Veliaj tha se pas ceremonisë zyrtare në Varrezat e Dëshmorëve, dita në Pezë do të vijojë me aktivitete për fëmijë e të rritur.

“Teksa ju ftoj të gjithëve në homazhe, fillimisht aty ku prehet Babë Myslymi, pastaj te varrezat e Pezës, dua t’ju njoftoj se do të kemi një ditë plot aktivitete, për t’ua kushtuar këto gëzime dhe këto ditë bashkimi atyre që luftuan, punuan dhe bashkuan shqiptarët për lirinë! Sot, më shumë se kurrë lipset që të bashkohemi prapë, si para 82 vitesh. Jemi të shpërndarë në disa parti, jemi të shpërndarë në disa bindje, në disa fe, por u takon gjithmonë atyre që qeverisin, atyre janë grupi më i madh, që ta hapin tryezën për të gjithë, që t’i shtrijnë dorën të gjithëve, që të përulen me respekt tek të gjithë”, tha Veliaj.

Konferenca e Pezës bëri bashkë në këtë 82-vjetor, qytetarë, familjarë të dëshmorëve dhe veterane duke risjellë në vëmendje simbolikën e kësaj dite të shënuar. /vizionplus.tv

Read Entire Article