Kryeministri Rama ka kërkuar bashkëpunim vetëm mbi baza ligjore të institucioneve që ka në varësi me strukturat e krijuara nga reforma në drejtësi si SPAK dhe BKH.
Në një intervistë për drejtuesen e revistës “Newsbomb”, Anila Basha ai shprehet i pakënaqur për faktin se në disa raste hetuesit e BKH-së shkojnë në zyrat e shtetit pa lajmëruar më parë, pa ruajtur minimumin e etikës dhe bëjnë shfaqje të shëmtuara.
“Është e vërtetë po, që duke qenë një njeri që jetoj çdo ditë si mbi gjemba dhe e nis ditën i pakënaqur me veten time, e pastaj e ngrys i pakënaqur me të tërë shtetin, nuk kam se si të mos jem i pakënaqur kur informohem për shfaqje të shëmtuara e krejt të panevojshme, të hetuesve të BKH-së në zyrat e shtetit, pa lajmëruar zyrtarisht, pa ruajtur asnjë minimum etik, pa respektuar gjëkundi faktin e thjeshtë se njësoj si ata në zyrat e tyre edhe punonjësit e tjerë në zyrat e institucioneve të tjera, bëjnë punën e shtetit, kanë planin e tyre ditor, kanë takimet, mbledhjet e angazhimet e tyre zyrtare dhe s’ia kanë borxh as SPAK-ut, as BKH-së e askujt në këtë botë, që arbitrarisht t’iu çakordojë punën e të përhapë jo vetëm në tërë institucionin, po edhe në familjet e tyre, ndjesinë e papranueshme të një represioni psikologjik”, thotë Rama.
Sipas tij “Për të marrë dosje e dokumenta apo pyetur njerëz të shtetit për nevoja të hetimeve s’ka asnjë lloj problemi e jo më pengese, siç nuk ka asnjë lloj nevoje për vizita të palajmëruara dhe asnjë lloj justifikimi për sjellje të pagdhendura. Kaq është e gjitha dhe lajmi i vërtetë nuk është që unë kam kërkuar nga drejtuesit e institucioneve “të mos dorëzojnë kollaj mjete pune e dokumenta”, sepse në këtë mes s’ka asgjë as për “kollaj” as për “vështirë”, po thjesht kam bërë detyrën time duke u thënë drejtuesve të institucioneve, se kush shfaqet si e ëma e Zeqos në majë të thanës në emër të BKH-së, duhet të kthehet andej nga ka ardhur dhe bashkëpunimi i padiskutueshëm me SPAK-un duhet të zhvillohet vetëm mbi bazën e qartë ligjore të dhënies së informacionit për qëllime hetimore apo të marrjes në pyetje të personave të nevojshëm për hetimet, duke garantuar proceset e punës dhe qetësinë legjitime psikologjike të punonjësve të administratës”.
Top Channel