Ish-kryebashkiaku i Bulqizës, Lefter Alla la qelinë pasi shleu dënimin me dy vjet burg.
Ai u shpall fajtor nga të dyja shkallët e gjyqësorit për korrupsion dhe abuzim me tenderat publikë.
Sipas SPAK, ish-kryebashkiaku dhe vartësit e tij shkelën barazinë e pjesëmarrjes në një tender me vlerë 3 milion euro.
Alla, në bashkëpunim me nënkryetaren e bashkisë e zyrtarë të tjerë që u dënuan bashkë me të, ndikuan që tenderi të fitohej nga Aqif Konesha, ky i fundit i afërm i ish-kreut të bashkisë.
Tenderi kishte si objekt ndërtimin e ujësjellësit të ri në Bulqizë.
Dosja e SPAK përfshiu edhe disa përgjime, ku u provua se Lefter Alla dhe Aqif Konesha, personi që përfitoi nga tenderi, kishin kontakte dhe komunikime me njëri-tjetrin. Hetuesit vërtetuan se ish kryetari i bashkisë se Bulqizës kishte udhëtuar me makinë me biznesmenin jashtë vendit.
Lefter Alla u arrestua dy muaj përpara zgjedhjeve vendore të 14- majit. Por kjo nuk ishte hera e parë që kryebashkiaku i Bulqizës përballej me drejtësinë.
Partia Demokratike e kishte akuzuar Lefter Allën për përdorim kokaine në një lokal dhe publikoi edhe një video për rastin.
Asokohe nisën hetimet, por akuzat u hodhën poshtë, pasi sipas analizave Alla nuk rezultoi të ishte përdorues droge./vizionplus.tv