LETRA/ Vocaj prezanton arritjet pas largimit nga Policia e Tiranës dhe ka një mesazh për kolegët: Situata kriminale ka njohur stabilizim, vazhdoni të ruani rendin

8 hours ago 27

Ditën e sotme, ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha bëri publikë emrat e 12 drejtuesve të rinj të Policisë në qarqet e vendit.

Nga emrat e bërë publik nga ministri Hoxha vihet re se asnjë nga drejtorët të cilët deri më tani kanë qenë në krye të Policisë së Shtetit nëpër qarqe nuk kanë arritur që të zgjidhen sërish. Madje as Tonin Vocaj, i cili kishte arritur të merrte 72 pikë, duke u radhitur në vendin e 14-të, një vend i cili e listonte sipër vijës të kuqe.

Vocaj do të zëvendësohet në këtë detyrë nga Elton Alushi. Përmes një letre lamtumire, Vocaj ka falenderuar kolegët dhe bashkëpunëtorët. Ai thekson se gjatë 4 viteve që ka drejtuar Policinë e Tiranës, situata kriminale ka njohur stabilitet të dukshëm.

“Ju uroj të gjithëve suksese të mëtejshme dhe vazhdoni të ruani sigurinë dhe rendin me të njëjtin përkushtim dhe kurajë”, shkruan Vocaj në letrën drejtuar kolegëve

Letra e Vocajt 

Të dashur kolegë dhe bashkëpunëtorë,

Sot, ndërsa largohem nga detyra ime si Drejtor i Policisë së Tiranës, ndjej detyrimin t’ju drejtohem me një falënderim të sinqertë dhe të thellë. Kam pasur nderin dhe privilegjin të udhëheq këtë drejtori për katër vite, të ndara në dy periudha, dhe secila prej tyre ka qenë një periudhë angazhimi, sfidash dhe suksesesh të përbashkëta.

Falë bashkëpunimit Tuaj të palodhur dhe përkushtimit të pashoq, situata kriminale në qytetin tonë ka njohur stabilizim të dukshëm. Ky vit ka regjistruar vetëm 8 vrasje, nga të cilat vetëm një rast me prapavijë krimi të organizuar, 7 vrasje të zbuluara dhe të dokumentuara me prova të pakundërshtueshme ligjore. (për vrasjen e ndodhur me date 13.11.2024, po punohet nga një grup i posacëm hetimor). Reduktimi i krimeve në volum ka qenë i dukshëm – është evident një ulje të ndjeshme të vjedhjeve dhe veprave penale kundër personit. Siguria në shkolla dhe lufta pa kompromis kundër shpërndarësve të lëndeve narkotike ka qenë një konstante në punën tonë. Po kështu ky qytet është vizituar nga miljona turistë të cilët fal Jush kanë gjetur një ambjent të sigurtë.

Dua të vë në pah përparimet e arritura në Bashkinë e Krujës, e cila ka kaluar në juridiksionin tonë rreth një vit e gjysmë më parë. Situata e rendit dhe sigurisë atje është shumë më e stabilizuar se më parë, dhe kultivimi i bimëve narkotike në territorin e bashkive Tiranë, Kamëz dhe Vorë është pothuajse inegzistent. Në Bashkinë e Krujës, ky fenomen është përgjysmuar në krahasim me një vit më parë.

Ne kemi përballuar me sukses qindra aktivitete kulturore dhe sportive të të gjitha natyrave. Gjithashtu, kemi administruar qindra tubime e protesta pa incidente të rënda. Këto suksese janë fryt i punës së përkushtuar të secilit prej Jush.

Këto vite në këtë detyrë kanë qenë një nga nderet e veçanta të jetës sime. Vitet që kam kaluar duke punuar përkrah Jush do t’i ruaj gjithmonë në kujtesë me krenari dhe mirënjohje të thellë. Sfidat e kaluara së bashku, për të cilat kemi sakrifikuar dhe kemi punuar pa u lodhur, kanë pasur një qëllim të qartë të bëjmë qytetin tonë më të sigurt për të gjithë ne. Dhe sot, mund të them me bindje se ia ka vlejtur çdo përpjekje.

Falenderoj nga zemra zëvendësdrejtorët, të gjithë shefat e sektorëve, shefat e komisariateve dhe çdo oficer policie për punën Tuaj të palodhur, përkushtimin dhe profesionalizmin që keni treguar në çdo hap. Do ju jem gjithmonë mirënjohës për mbështetjen e palëkundur, bashkëpunimin e vyer, sakrificat, angazhimin dhe integritetin tuaj.

Ju uroj të gjithëve suksese të mëtejshme dhe vazhdoni të ruani sigurinë dhe rendin me të njëjtin përkushtim dhe kurajë.

Me respekt dhe mirënjohje të thellë,

Tonin VOCAJ

Read Entire Article