Lufta në Ukrainë, OKB: Popullsia e vendit u ul me 8 milionë

2 hours ago 23

Popullsia e Ukrainës ka rënë me tetë milionë që nga pushtimi rus në shkurt 2022, i cili shkaktoi një eksod të popullsisë dhe një rënie të shkallës së lindshmërisë, njoftuan Kombet e Bashkuara të martën (22/10).

“Në përgjithësi, popullsia e Ukrainës ka rënë me rreth dhjetë milionë që nga viti 2014 dhe me rreth tetë milionë pas fillimit të pushtimit në shkallë të gjerë në 2022,” tha Florence Bauer, kreu i divizionit të Evropës Lindore të Fondit të Popullsisë së OKB-së (UNFPA) në shënime dërguar gazetarëve.

Dokumenti, i cili citon të dhëna nga qeveria dhe UNFPA, thotë se popullsia e Ukrainës pritet të arrijë në 35 milionë këtë vit, nga 43 milionë në 2022 dhe 45 milionë në 2014, kur Rusia aneksoi gadishullin ukrainas të Krimesë.

Në një konferencë për shtyp në Gjenevë, Bauer shpjegoi se kjo tërheqje është e lidhur me një “kombinim faktorësh” dhe nënvizoi se “edhe para përshkallëzimit të luftës, Ukraina po përballej me sfida të rëndësishme demografike”.

Zyrtari tha se shkalla e lindshmërisë ka rënë dhe tani është rreth një fëmijë për grua, “që është një nga më të ulëtat në botë” dhe shumë poshtë pragut të rinovimit të popullsisë prej 2.1 fëmijë për grua.

“Gjithashtu 6.7 milionë njerëz kanë ikur nga Ukraina dhe një numër i konsiderueshëm njerëzish kanë vdekur për shkak të konfliktit”, shtoi zëdhënësja e OKB-së./vizionplus.tv

Read Entire Article