Mërtiri: Zhurma e PL për ndalimin e Metës për të mbuluar arsyen e vërtetë të arrestimit, korrupsionin

2 hours ago 19

Me urdhër të Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, është arrestuar ditën e djeshme kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, si dhe është dhënë masa e sigurisë “detyrim paraqitje” edhe për ish-bashkëshorten e kreut të PL-së, Monika Kryemadhi.

Lidhur me aktualitetin politik në vend, në edicionin qendror të lajmeve në Vizion Plus, të moderuar nga Aleksandër Furxhi, ka folur analisti i njohur Ergys Mërtiri.

Mërtiri tha se arrestimi i Metës nuk e dëmton opozitën, përkundrazi sipas tij aktorë të rinj të gjejnë më shumë hapësira.

Ai u shpreh se zhurma e PL për ndalimin e Metës është për të mbuluar arsyen e vërtetë të arrestimit që është korrupsioni.

-Si e shikon arrestimin e ish-Presidentit, Ilir Meta?

Mërtiri: Është diçka që pritej dhe madje është e vonuar, ka kohë që Z.Meta hetohej, madje pritej edhe për shkak të reagimit të Metës. Vetë mënyra se si Z. Meta ka reaguar dhe ka bërë politikë këto kohë, ka treguar që ka diçka që e shqetësonte. Gjuha e tij, gjuha jo politike, gjuha gangstere e Z.Metës tregon se nga diçka ai frikësohej dhe kërkon dikë të kërcënojë. Mesa duket, kërcënimi nuk ka funksionuar dhe tashmë ai po përballet me drejtësinë. Në fakt unë e shoh si diçka pozitive. Është pozitive jo për shkak të Z.Metës në mënyrë të drejtpërdrejtë, ai gëzon pezullimin e pafajësisë si çdo njeri tjetër në këtë vend, por për herë të parë kemi një person që po shkon në burg në një nivel të tillë fuqie politike. Kjo do të thotë që për herë të parë kemi një institucion si SPAK, i cili po vendos para përgjegjësisë figura të larta që kanë qenë deri më tani të paprekshëm. Ky është lajm i mirë për funksionimin e drejtësisë në këtë vend.

-Prej ditës së djeshme, një pjesë të madhe të opinionit publik e zuri skena e arrestimit e ish-Presidentit, mënyra si u arrestua. Ka një arsyetim që i çon shumë njerëz të mendojnë që ajo skenë, në ato përmasa dhe në atë mënyrë si u zhvillua ishte e bërë enkas nga SPAK, për të dhënë një mesazh ndoshta, si mendon?

Mërtiri: Nuk e besoj që është kështu. Mënyra se si arrestohet nuk e vendos SPAK, por policia. Unë mendoj se as policia nuk ka pasur interes për spektakël në mes të Tiranës. Më shumë, ata që kanë fryrë debatin mbi spektaklin kanë qenë vetë mbështetësit e Z. Metës dhe përfaqësuesit e lartë të PL. Kanë dy ditë që po merren me mënyrën e arrestimit, për të shmangur thelbin e asaj çfarë është lajmi i vërtetë. Fakti që kryetari i PL, Ilir Meta është sot në burg dhe gjithë debati nuk ka qenë mbi Metën, mbi korrupsionin e tij të mundshëm, mënyrën se si i është shmangur hetimeve dhe se si ka përdorur politikisht partinë e tij. Gjithë debati është kthyer në mënyrën se si është arrestuar, i cili është një debat polices dhe për të cilën nuk kemi asnjë provë. Askush prej nesh nuk ishin në makinën e Metës për të ditur se si i tha policia dhe si reagoi Z.Meta. Është një debat që bëhet prej dy ditësh pa asnjë provë. Për mua, refuzimi i forcave të policisë do të çonte në marrjen e tij me forcë. E dyta që refuzimi i Z. Metës të ketë ndodhur është diçka normale, sepse është sjellë gjatë gjithë kësaj kohe duke kërcënuar SPAK, duke kërcënuar institucionet shtetërore.

-Pikërisht me këtë arrestim, Shqipëria po shkon në zgjedhje, pas pak muajsh, me dy drejtuesit kryesorë të opozitës të arrestuar. Duket si një film që nuk ja vlen ta shohësh se ja di fundin, si mendon?

Mërtiri: Në fakt fundin ja dimë dhe pa këto arrestime. Meta dhe Berisha nuk e mundin dot Ramën në kushtet që jemi. Ka qenë Meta, Berisha dhe Basha bashkë dhe humbën përballë Ramës në 2021. Tashmë që Z. Berisha është non grata, opozita është e përçarë dhe akuzat që ata i kanë thënë njëri-tjetrit janë më të rënda se sa akuzat që i ka bërë qeveria e Z.Ramës dhe aq më tepër rikthimi i Berishës pas një kalvari të gjatë në opozitë dhe humbjesh, nuk besoj se është një koalicion që premton për të fituar. Rezultati i 14 Majit, ku të dy humbën në mënyrë drastike, tregon që nuk ka gjasa që këta të dy ta mundin Ramën. Arrestimi i Metës nuk e dëmton opozitën, përkundrazi aktorë të rinj të gjejnë më shumë hapësira në opozitë.

-Nesër një grup deputetësh të opozitës do të jenë në Strasburg për të protestuar kundërshtimin e tyre për atë që ata e quajnë një regjim autokratik apo diktaturë që është instaluar në Shqipëri, çfarë ndikimi mund të ketë?

Mërtiri: Asnjë ndikim i mirë për opozitën. Problemi i opozitës është tek vetvetja, as tek të huajt, në Strasburg jo e jo. Kemi parë që opozita fajëson gjithkënd dhe nuk e drejton gishtin tek vetja, kjo tregon që opozita është në krizë të brendshme. Dhe protesta që bëjnë çojnë në veprime që të shmangin vëmendjen nga kriza e brendshme. /vizionplus.tv

Read Entire Article