Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu ka bërë publike vendimet që janë marrë sot në mbledhjen e qeverisë.
Manastirliu tha se është miratuar marrëveshja për hapjen e degës së Kolegjit të Evropës në Tiranë. Duke folur për mediat, ministrja theksoi se qeveria do të financojë deri në 5 bursa vjetore për studentët shqiptarë.
“Kemi miratuar një vendim të rëndësishëm sa i përket dimensionit të arsimit të lartë, marrëveshjen që hap degën e Kolegjit të Evropës në Tiranë. Kampusi shënon një partneritet strategjik të Shqipërisë dhe institucioneve evropiane por nga ana tjetër, i hap mundësinë studentëve të Shqipërisë, dhe të rinjve të Ballkanit Perëndimor dhe me gjerë për të studiuar në Tiranë. Dega e kolegjit do t’i hapë studimet për ciklin 2024-2025, në këtë vit akademik.
Qeveria është e angazhuar që nëpërmjet kësaj marrëveshje të iniciojë të gjitha aspektet për ndërtimin e kampusit dhe do të financojë deri në 5 bursa vjetore për studentët shqiptarë. Është një ngjarje historike, për herë të parë një filial i një kolegji prestigjioz hap degën e parë në Shqipëri”, tha ajo.
Nga ana tjetër, Manastirliu tha se qeveria shqiptare mbetet e angazhuar në mbështetjen e sportistëve elitarë.
“Qeveria mbetet e angazhuar në mbështetjen e sportistëve elitarë. Do të mbështesim Luiza Gegën. Nuk ka munguar mbështetja për Luiza Gegën. Përtej shpërblimeve, mbështetje dhe vlerësim për sportistët tanë”, u shpreh ajo./vizionplus.tv