Marrëveshja e pensioneve me Greqinë, Hasani: Problem ndërrimi i emrave, po përpiqemi maksimalisht

2 months ago 32

Ministri i Jashtëm, Igli Hasani gjatë një konference të zhvilluar ditën e sotme me gazetarët në kuadër të  përfundimit të Konferencës së Ambasadorëve “Diplo 2024” është ndaluar te marrëveshja e pensioneve mes Shqipërisë dhe Greqisë. Ministri Hasani tha se negociatat nuk janë të lehta, megjithatë shefi i diplomacisë u shpreh optimist.

Ndryshe nga marrëveshja e finalizuar mes Shqipërisë dhe Italisë për pensionet, ministri theksoi se në Greqi ekziston problemi i ndërrimit të emrave nga shumë shqiptarë që punojnë dhe jetojnë atje. Prandaj janë çështje teknike që kërkojnë angazhim maksimal

Hasani: Qeveria e Republikës së Shqipërisë e ka bërë pjesën e vet të hartimit për detyrimin, saktësimin e gjithë angazhimeve që duhen për marrëveshjen e pensioneve mes Shqipërisë dhe Greqisë. Nuk është e lehtë, është një negociatë shumë e vështirë pasi numrat janë të mëdhenj dhe realitetet janë të ndryshme por po përpiqemi maksimalisht që ne këtë gjë të vazhdojmë ta shtyjmë dhe të vazhdojmë ta bëjmë sa më shpejt konkrete. Ka shumë tema të hapura me Greqinë dhe ne duam që gjërat t’i negociojmë të gjitha dhe të arrijmë rezultate sa më të shpejta te secila prej tyre. Padyshim që nëse do të arrinim diçka te pensionet ne jemi gati.

Di të them që në ndryshim nga Italia ku negociata ishte gjithashtu e gjatë, atje nuk kishte të paktën probleme ndërrimi emrash. Kjo është diçka që kur të futemi tek elementët teknikë duhet të jemi shumë të qartë dhe të mirëangazhuar për atë që po bëjmë. Di të them që shumë shqiptarë kanë punuar në Greqi, këto përfitime i marrin në momentin që kanë emigruar nga Greqia në vende të tjera të BE me të cilat ne kemi marrëveshje.

Në lidhje me veton që Greqia ka paralajmëruar t’i vendosë  Shqipërisë në rrugën e integrimit në BE, Hasani tha se qeveria shqiptare ka qenë e angazhuar plotësisht gjatë gjithë vitit në mënyrë që të mos ketë asnjë pengesë. Greqia ka kërcënuar më herët Shqipërinë se do të bllokojë integrimin pas çështjes Beleri.

Hasani: Kur them që janë shumë kantierë ndërtimi të hapur me Greqinë, di të them që angazhimi ka qenë konstant dhe absolut gjatë gjithë këtij viti me autoritetet greke për çështjen e hapjes së kapitullit të parë. Ka qenë një angazhim diskret, jo publik. Mendoj që jemi gjithmonë në rrugën e duhur./vizionplus.tv 

Read Entire Article