Kuvendi ka miratuar këtë të enjte ligjin për studentët e mjekësisë në Universitetin Publik.
Sipas ndryshimeve studentët e mjekësisë janë të detyruar të punojnë në Shqipëri të paktën tre vite pas diplomimit, ose në të kundërt duhet të paguajnë të plotë tarifën e studimit.Po ashtu parashikohet dhe një ndryshim sa i takon punësimit. Mjekët që licensohen kanë prioritet të punësohen në institucionet shëndetësore publike brenda harkut 3 mujor.
Nëse kjo nuk ndodh në bazë të nevojave që ka sistemi këta mjekë mund të paguhen me 80 % të pagës së mjekut të thjeshtë.
Ndërkohë seanca plenare këtë të enjte nisi me një minutë heshtje në nderim të ish-deputetit të Partisë Demokratike, Gerti Bogdani.
Opozita, e cila vendosi pezullimin e çdo aktiviteti politik për shkak të ndarjes nga jeta të Gerti Bogdanit u largua nga salla e parlamentit menjëherë pas përfundimit të nderimeve për ish-deputetin demokrat.
Mazhoranca vazhdoi e vetme seancën, por edhe socialistët për shkak te ndarjes nga jeta të Gerti Bogdanit u kufizuan në fjalimet e tyre duke prezantuar shkurt ligjet e parashikuara në rendin e ditës.
/vizionplus.tv