Ministria e Turizmit dhe Mjedisit Mirela Kumbaro, vizitoi shkollën e mesme profesionale “Hysen Çela” në Durrës, ku foli për degën e hoteleri- turizëm, si një nga programet më të ndjekura.
Nga më shumë se 800 nxënës që kanë zgjedhur të mësojnë në këtë shkollë, rreth 430 prej tyre mësojnë në drejtimin e hoteleri-turizmit.
Kumbaro prezantoi instrumentin e ri të statistikave, platformën “eVisitors”, për të formalizuar kapacitetet e strukturave akomoduese në vend
“Kemi një shfrytëzim shumë më të madh të numrit të kapaciteteve të shtretërve të cilët do të orientohen përmes një instrumenti të ri që ne po ndërtojmë, një platforme që do të quhet eVisitors për statistikat dhe për të kuptuar realisht sa është kapaciteti i shtretërve, numri i vizitorëve, preferencat e tyre, por kemi nisur edhe marrëdhëniet me “Airbnb” për të formalizuar gjithë këtë treg. Dhënia e apartamenteve në platforma si “Airbnb” duhet të shkojë në proporcion me industrinë e turizmit, hotelet, restorantet sepse ato krijojnë punësim, por edhe për të mos dëmtuar tregun imobilar. Do të ndihmojë dhe bashkitë me atë që quhet “taksa e turistit”, tha Kumbaro.
Gjatë bashkë bisedimit me nxënësit e shkollës, Ministria u bëri thirrje që të punojnë brenda vendit.
“Ju mund të punoni ku të doni sepse jemi qytetarë të lirë, por në çdo moment përtej dëshirës, mendojeni dy herë përpara se të merrni vendimin, sepse ja vlen të punosh këtu të kontribuosh dhe të marrësh eksperiencë. Se këtu edhe kur gabon gjatë punës është më e lehtë të marrësh veten”, shtoi ajo.
Qeveria ka vendosur të rrisë mbështetjen për arsimin profesional me qellim për ti orientuar të rinjtë në përputhje me nevojat e tregut të punës. /vizionplus.tv