36 studiues dhe 14 universitete të Shqipërisë e Kosovës janë bërë bashkë në simpoziumin e parë shkencor mbi monumentet e natyrës në vendin tonë. Qëllimi i këtij organizimi ishte identifikimi i vlerave shkencore, ekologjike, kulturore, dhe turistike të këtyre monumenteve që janë pjesë e kategorisë se tretë të zonave të mbrojtura.
“Ne kemi shumë monumente natyre por ajo që është shqetësuese është identifikimi i tyre duke u bërë të njihen pak e duke u dëmtuar shumë. ne duam të arrijmë të bëjmë shpjegimin shkencor të këtyre monumenteve por dhe në ndaljen e vlerave jo vetëm kulturore por dhe vlerave shpirtërore që monumentet kanë”, tha studiuesi Perikli Qiriazi.
Po ashtu studiuesit ngrenë shqetësimin e dëmtimit të monumenteve jo vetëm nga dukuritë natyre, por dhe nga dora e njeriut, duke sjellë kështu dhe shembullin e plazhit të Gjeneralit, i cili nga një zonë e mbrojtur natyrore është shfrytëzuar për tu kthyer në një zonë turistike.
“Plazhi i Gjeneralit është një nga dukuritë më interesante, një nga pasuritë më të mëdha që mund të na ndihmonte për zhvillimin e atyre që ne i quajmë spektakle biologjike. Por ai plazh aq i pasur i cili kishte një breshkë uji shumë të veçantë sot nuk e ka më sepse është kthyer në një zonë turistike ku ka vepruar dora e njeriut duke larguar kështu edhe breshkat duke shkelur edhe ligjin e zonave të mbrojtura”, tha Qiriazi.
Nga vendi ynë në Listën e Trashëgimisë Botërore, që mbrohet nga konventa përkatëse, janë rradhitur rreth 720 objekte natyrore dhe kulturore./vizionplus.tv