Mbyllen aplikimet për fermerët, 400 persona kërkojnë pajisje bujqësore, nis verifikimi në terren

8 hours ago 19

Bledar Meço është një nga 400 fermerët që ka aplikuar për Skemën e Investimeve në Bujqësi.

Ai është një nga vreshtarët më të vjetër në zonën e Libofshës dhe ka shfaqur interes për mjete të reja bujqësore, që do t’i lehtësonin punën e përditshme.

“Kam emigruar në Itali para shumë vitesh, edhe andej bëja të njëjtën punë. Më pas vendosa të kthehesha në Shqipëri për të bërë të njëjtën punë edhe këtu. Ka vështirësi, puna e fermerit është e vështirë, e lodhshme, kam nisur me një sipërfaqe rreth 6 dynym, tani kam 3 hektarë. Kemi aplikuar për skemën e fundit, për mjete bujqësore. Do jetë diçka shumë e mirë nëse dalim fitues sepse mekanizohet puna. Nëse do të marr mjete të reja, është një ndihmë që të heq shumë punë”, tha fermeri Bledar Meço.

Aplikimet për fermerët që të përfitojnë nga fondi prej 1.5 mld lekësh i vënë në dispozicion nga qeveria për investime janë mbyllur më 8 nëntor.

“Pas mbylljes së aplikimeve, vijohet me shqyrtimin administrativ dhe më tej me verifikimin në terren të aplikantëve për të plotësuar kushtet e përfitueshmërisë. Dosjet e aplikimeve shqyrtohen dhe në rast mungese dokumentacioni, dërgohet njoftim te fermerët që të plotësojnë dokumentacionin e munguar në mënyrë që të arrijmë në nënshkrimin e kontratës”, tha drejtoresha e Agjencisë për Zhvillim Bujqësor dhe Rural, Ardita Kuçi.

Drejtoresha e Agjencisë për Zhvillim Bujqësor dhe Rural shpjegon për “Vizion Plus” se pagesat për fermerët përfitues pritet të mbyllen brenda këtij viti.

“Procesi administrativ për plotësimin e të gjithë dokumentacionit do të zgjasë deri në 45 ditë, pas datës së mbylljes së thirrjes. Brenda këtij afati fermerët duhet të sjellin të gjithë dokumentacionin e munguar. Parashikojmë që të përfundojmë procesin e kontraktimit për masat e mekanikës bujqësore dhe rrjetat antibreshër, ndoshta edhe për masat e serave dhe ndërtimin e stallave, nëse aplikantët përshpejtojnë dokumentacionin, brenda këtij viti, në mënyrë që të gjithë aplikantët të kenë mundësi të përfitojnë grantin. Pagesa kryhet me dy këste, kësti i parë është deri në 30%, me kërkesë të aplikantit, në llogarinë e tij bankare. Pagesa e pjesës së mbetur të grantit kryhet në përfundim të investimit, të justifikuar me të gjithë dokumentacionin për investimin që është kryer”, sqaroi Kuçi.

Për skemën e investimeve kanë shfaqur më shumë interes fermerët në zonën e Fierit, Vlorës dhe Korçës./vizionplus.tv

Read Entire Article