Kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni ka reaguar pasi parlamenti i Shqipërisë votoi sot protokollin e bashkëpunimit me Shqipërinë në fushën e migracionit.
Përmes një mesazhi në rrjetet sociale, Meloni falenderon kryeministrin Rama, institucionet dhe popullin shqiptar për miqësinë dhe bashkëpunimit.
“Kuvendi i Shqipërisë ratifikoi sot marrëveshjen e bashkëpunimit me Italinë kundër imigracionit të paligjshëm dhe trafikimit të qenieve njerëzore. Faleminderit kryeministrit Edi Rama, institucioneve dhe popullit shqiptar për miqësinë dhe bashkëpunimin”- shkruan Meloni.
Parlamenti miratoi sot marrëveshjen për migrantët nënshkruar nëntorin e vitit të kaluar në Romë nga kryeministri Rama dhe homologia e tij italiane, Giorgia Meloni. Në votim, 74 votave të shumicës socialiste, iu bashkuan dhe ato të 3 deputetëve të Partisë për Drejtësi, Unitet dhe Integrim, të cilët vunë në dukje mbështetjen që Italia i ka dhënë ndër vite Shqipërisë.
PD-ja nuk mori pjesë në votim, ndërsa pas seancës kreu i grupit parlamentar Gazmend Bardhi, njëherazi firmëtar i kërkesës drejtuar Gjykatës Kushtetuese për anullimin e marrëveshjes, tha se Protokolli mes dy vendeve “është në shkelje të interesit publik dhe cënon sigurinë kombëtare”.
Gjykata Kushtetuese pezulloi fillimisht procedurat parlamentare për ratifikimin e marrëveshjes, ndërsa shqyrtoi përmbajtjen e saj, duke u shprehur në fund të janarit. Ajo rrëzoi kërkesën e deputetëve të opozitës, duke vlerësuar se nuk kishte shkelje të kushtetutës. Marrëveshja Rama-Meloni parashikon ngritjen e dy kampeve të refugjatëve për ata që ikin nga Afrika drejt Italisë, në portin e Shëngjinit dhe në Gjadër.
Top Channel