Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta mbështeti sot aksionin e opozitës për të bllokuar komisionin e posaçëm të reformës zgjedhore.
Gjatë një konference me gazetarët Meta theksoi se është e qartë se kush përfaqëson grupin më të madh të deputetëve të opozitës në parlament duke mbështetur Oerd Bylykbashin si bashkëkryetar të reformës zgjedhore.
“Opozita refuzon të legjitimojë një farsë të tillë, e cila i shërben Edi Ramës, e cila nuk ka asnjë lidhje me përgjegjshmërinë për të bërë një reformë zgjedhore”, tha Meta.
Meta akuzoi Lulzim Bashën se ka bashkëpunuar prej vitesh me kryeministrin Edi Rama për të dëmtuar opozitën, duke bërë këta dy politikane përgjegjës edhe për ngjarjen e vitit 2015 kur deputeti socialist asokohe Tom Doshi akuzoi Ilir Metën se kishte urdhëruar njerëz për ta vrarë.
“Komploti për Tom Doshin e Mhill Fufin ishte organizuar nga Rama e Basha”, tha kreu i PL-së.
Meta sqaroi se Partia e Lirisë është në krah të PD duke sqaruar se ka biseduar me liderin e opozitës Berisha edhe në këtë periudhë që ai ka qenë i izoluar.
“Jemi përshëndetur, i kam shprehur soliditetin tim të plotë. Kemi të bëjmë me një përndjekje politike dhe me një përpjekje për të minuar opozitarizmin në vendin tonë”, tha Meta.
Prej rikthimit të Sali Berishës në krye të PD Ilir Meta dhe Partia e Lirisë ka qenë aleati më i ngushtë i tij./vizionplus.tv