Momentet më të famshme të debateve presidenciale

4 months ago 21

Debatet publike mes kandidatëve për president janë një nga shtyllat kryesore në zgjedhjet amerikane, megjithëse jo gjithmonë ka qenë kështu.

Herë zbavitëse e herë tronditëse, në debatet presidenciale janë shënuar shumë momente kyçe që kanë formësuar perceptimin e publikut ndaj kandidatëve dhe çështjeve të ndryshme.

1858

Megjithëse fushata ishte për Senatin e shtetit Illinoi, shtatë debatet mes senatorit Stephen Douglas dhe Abraham Lincoln-it ishin të parat në politikën amerikane që zhvilloheshin para një audience të gjerë, me një vëmendje mbarëkombëtare në të njëjtën ditë falë teknologjive të reja si telegrafi.

1948

Debati në radio mes guvernatorit të Nju Jorkut, Thomas Dewey dhe ish-guvernatorit të Minesotës, Harold Stassen, gjatë zgjedhjeve paraprake republikane, ishte debati i parë presidencial i regjistruar me audio. Tema ishte nëse Partia Komuniste duhej të shpallej e jashtëligjshme.

1960

Në debatin e parë presidencial televiziv, pamja kishte rëndësi. Nënpresidenti Richard Nixon – favorit në zgjedhje që po vuante nga një lëndim në gju – refuzoi të vendoste grim në fytyrë para debatit dhe djersiti nga dritat e studios.

Në pamje ai dukej i zbehtë dhe i sëmurë. Nga ana tjetër, Senatori John F. Kennedy dukej i fuqishëm dhe energjik, gjë që i dha atij një avantazh të lehtë pas debatit.

1976

Gjatë këtij debati me ish guvernatorin e Xhorxhias Jimmy Carter, presidenti Gerald Ford bëri një deklaratë të gabuar kur tha se “Nuk ka dominim sovjetik në Evropën Lindore”.

1980

Pak para një debati paraprak republikan në Nju Hempshër me ish-ligjvënësin e Teksasit, George H.W. Bush, ish guvernatori i Kalifornisë Ronald Reagan ftoi edhe kandidatë të tjerë republikanë të merrnin pjesë.

Zoti Bush e refuzoi ndryshimin, gjë që shkaktoi një përplasje që çoi në largimin e kandidatëve të tjerë nga skena.

Gjatë debatit të dytë presidencial me Presidentin Jimmy Carter, kandidati republikan Reagan iu përgjigj kritikave të gjata të zotit Carter me një përgjigje të shpejtë dhe me humor, gjë që tërhoqi audiencën.

“Filloi prapë ky”, tha zoti Carter.

1984

Në debatin gjatë zgjedhjeve paraprake demokrate me senatorin Gary Hart, ish nënpresidenti Walter Mondale përdori parrullën e një reklame të njohur – “Ku është mishi?” – për të kritikuar mungesën e hollësive në platformën e rivait Hart.

Gjatë debatit të dytë presidencial, presidenti Ronald Reagan, e ktheu në avantazh pyetjen mbi moshën e tij të thyer, duke përmendur “papjekurinë dhe mungesën e përvojës” të rivalit të tij Mondale.

“Nuk dua ta bëj moshën një çështje fushate, nuk dua të shfrytëzoj për qëllime politike papjekurinë dhe mungesën e pëvojës së kundërshtarit”, tha zoti Reagan.

1988

Në një diskutim mbi dënimin me vdekje gjatë debatit të dytë presidencial mes nënpresidentit George Bush dhe guvernatorit të Masaçusetsit, Michal Dukakis, përgjigja pa pasion e zotit Dukakis ndaj një situate të imagjinuar për përdhunimin dhe vrasjen e gruas së tij, e dëmtoi atë në fushatë.

Gazetari: Guvernator, nëse Kitty Dukakis do të përdhunohej dhe vritej, a do të përkrahnit një dënim me vdekje për vrasësin?

Dukakis: Jo Bernard. Mendoj se ju e dini se unë e kam kundërshtuar dënimin me vdekje gjatë gjithë jetës sime.

Gjatë debatit të vetëm mes nënpresidentit republikan Dan Quayle dhe senatorit demokrat Lloyd Bentsen, zoti Quayle e krahasoi veten me Presidentin John F. Kennedy. Zoti Bentsen reagoi, duke i thënë atij se “Jo, ti nuk je Jack Kennedy”.

1992

Gjatë debatit për nënpresident, admirali në pension James Stockdale, numri dy i kanditatit të pavarur Ross Perot, zgjodhi një formë të pazakontë për ta prezantuar vetën në fjalën hyrëse.

“Kush jam unë? Përse jam këtu?” – tha ai.

Gjatë debatit presidencial, zoti Perot tha një frazë që u bë e famshme kur paralajmëroi për pasojat e Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë të Amerikës së Veriut

“Nuk të intereson asgjë tjetër veç fitimit, vendet e punës do të shkojnë në jug (në Meksikë)”, tha ai.

Ndërkohë, Gorge H. W. Bush tërhoqi vëmendjen me gjestin e tij duke kontrolluar orën vazhdimisht gjatë debatit.

2000

Ndërsa guvernatori republikan i Teksasit, George W. Bush po fliste gjatë debatit të tretë presidencial, nënpresidenti Al Gore iu afrua shumë afër, por zoti Bush e bëri të qeshë me një tundje të shpejtë koke.

2008

Kur senatori republikan John McCaim kritikoi senatorin demokrat Barack Obama gjatë debatit të parë presidencial, për komente të pamatura të politikës së jashtme, zoti Obama i kujtoi rivalit McCain deklaratat e tij në të kaluarën.

“John, keni absolutisht të drejtë që presidentët duhet të jenë të kujdesshëm për ato që thonë. Por thënë nga ju, që në të kaluarën keni kërcënuar me zhdukjen e Koresë së Veriut dhe keni kënduar këngë për bombardimin e Iranit, nuk e di sa është e besueshme”, tha zoti Obama.

2012

Gjatë zgjedhjeve paraprake republikane, guvernatori i Teksasit Rick Perry tha se po të bëhej president, do të mbyllte tre agjenci federale, përmendi dy, por harroi emrin e të tretës.

“Janë tri agjenci qeveritare që do t’i mbyll nëse fitoj… Tregtia, Edukimi dhe cila ishte e treta?”, tha zoti Perry.

Pasi ish-guvernatori i Masaçusetsit, Mitt Romney u ankua gjatë debatit të fundit se Shtetet e Bashkuara kishin më pak anije luftarake sesa në vitin 1916, presidenti Barack Obama iu përgjigj duke thënë se ne kemi gjithashtu më pak “kuaj dhe bajoneta”.

“E përmendët marinën, për shembull, kemi më pak anije sesa kishim më 1916. Guvernator, kemi gjithashtu më pak kuaj dhe bajoneta”, tha zoti Obama.

Zoti Romney u përpoq të nënvizonte angazhimin e tij ndaj nismave të diversitetit, me një frazë që u cilësua si e çuditshme.

“Isha tek një numër organizatash të grave dhe u thashë ‘a mund të na ndihmoni të gjejmë njerëz. Dhe ato na sollën dosje të tëra, plot me gra”, tha zoti Romney.

2016

Gjatë zgjedhjeve paraprake republikane, biznesmeni Donald Trump siguroi shikuesit se as duart e tij dhe as “diçka tjetër” nuk janë të vogla.

“Ai foli për duart e mia, nëse janë të vogla, diçka tjetër duhet të jetë e vogël. Mund t’ju garantoj se nuk ka asnjë problem. Ju garantoj”, tha zoti Trump.

Gjatë zgjedhjeve të përgjithshme, kur sekretarja e shtetit Hillary Clinton akuzoi zotin Trump se është kukull e Rusisë, ai u përgjigj duke i thënë “jo, ti je kukulla”.

Clinton: Kjo sepse ai do të preferonte të kishte një president kukull.

Trump: Jo kukull. Jo kukull.

Clinton: Është e qartë…

Trump: Ju jeni kukull.

Në një debat tjetër, zoti Trump po mbante një qëndrim që u interpretua si kërcënues, ndërsa zonja Clinton po fliste, gjë që më vonë ajo tha se e irritoi dhe e frikësoi.

2020

Në një debat paraprak mes demokratëve, Elizabeth Warren mund t’i ketë dhënë fund kandidaturës së Michael Bloomberg-ut me një sulm ndaj komenteve të tij seksiste në të kaluarën dhe një krahasimi me Donald Trumpin.

“Do të doja të përmendja se me kë kemi si kandidat – një miliarder që i quan gratë “të trasha” dhe “lezbike me fytyrë kali”. Jo, nuk po flas për Donald Trumpin por për kryebashkiakun Bloomberg”, tha zonja Warren.

Gjatë një debati kaotik në zgjedhjet e përgjithshme, Donald Trumpi i bëri trysni Joe Bidenit nëse do ta rriste numrin e gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë. Bideni iu përgjigj ndërhyrjeve të përsëritura të Trumpit me “A do ta mbyllësh gojën?”./voa

Read Entire Article