“Mos e vononi rivlerësimin”, agjentët imobiliarë: Po kolapsohet tregu

2 hours ago 28

Qeveria ende nuk po e ndan mendjen sa i përket hapjes së fushatës për rivlerësimin e pronave në vend. 6 muaj  nga depozitimi i një nisme të tillë në kuvend nga vetë deputetja e mazhorancës Blerina Gjylamenti, kuvendi nuk ka asnjë afat se kur do ta miratojë dhe kur do të nisë zbatimin. Ndërkohë agjentët e tregut, shprehen të shqetësuar për këtë amulli të krijuar, e cila po kolapson tregun në tërësi.

“Më shqetësues është fakti se akoma nga Ministria e Financave nuk është depozituar qëndrimi dhe oponenca institucionale ndaj kësaj nisme. Një zvarritje e tillë pothuajse 6 mujore, shoqëruar me një paqartësi mbi qëndrimin e Ministrisë së Financave, shtuar dhe dyshimet e mundësisë së një fushate Rivlerësimi gjatë një viti zgjedhor, jo vetëm që ka futur në një ngërç total gjithë sektorin e pasurive të paluajtshme, por për më tepër ka rritur në mënyrë të konsiderueshme riskun e një kolapsi në këtë industri”, thuhet në njoftimin e shoqatës së agjentëve imobiliarë NAREA

Qytetarët dhe bizneset janë në pritje të hapjes së fushatës, pasi ata kursejnë para nga tatimi që do të duhet të paguajnë pas shitjes së një prone. Në pritje të këtij procesi, tregut po i mungojnë miliona euro.

“Sot që flasim, i gjithë zinxhiri i transaksioneve me pasuritë e paluajtshme po humbet përfshirë dhe shtetin. Për 9-muajt e parë të 2024 janë arkëtuar më pak se 2% e të Ardhurave nga Tatimi mbi Fitimin Kapital, duke sjellë një gropë prej 56 Milionë Euro. Përtej mungesës së arkëtimeve dhe nevojës ose jo për këto, një fakt i tillë duhet të shqetësojë këdo që kupton se rënia e besimit të konsumatorit, kolapsimi i tregut të rishitjes ka efekte të sigurta domino mbi sektorin financiar, mbi sektorin e ndërtimin, atë të turizmit dhe mbi gjithë ekonominë”, thuhet në njoftimin e shoqatës së agjentëve imobiliarë NAREA.

Fushata e rivlerësimit nuk po gjen zbatim, pasi  ministria e financave po rishikon çmimet e referencës së pronave në të gjithë vendin, kryesisht në zona turistike ku interesi është edhe më i lartë.  Ndaj në pritje të përfundimit të këtij procesi,do të hapet rivlerësimi me një normë tatimi 5%. /vizionplus.tv

Read Entire Article