Mjekët e Urgjencës dhe ata të familjes, i mungojnë më së shumti sistemit tonë shëndetësor. Kjo për shkak të interesit tepër të ulët nga të diplomuarit për mjekësi, për ta zgjedhur si specialitet.
Sakaq ministria e Shëndetësisë njoftoi se këtë vit sa i përket këtyre dy specializimeve do të jenë pa testim dhe vlerësimi apo renditja do të bëhet bazuar në notën mesatare të të gjitha viteve të studimeve universitare.
“Në bashkëpunim me Fakultetin e Mjekësisë, kemi vendosur që specializimet për “mjekë familje” dhe “mjekë urgjence”, t’i hapim pa konkurrim që t’i japim mundësi këtyre dy specialiteteve që t’i përmbushim kuotat dhe të dedikojmë më shumë mjekë specialistë në këto dy fusha duke i dhënë mundësinë që edhe ata mjekë të përgjithshëm që bëjnë mjekun e familjes të mund ta ndjekin specializimin brenda institucioneve duke patur edhe një mentorim edhe nga Shërbimi i Urgjencës Kombëtare në këtë rast për mjekët e urgjencës, por edhe nga mjekë të specializuar për mjekët e familjes”, tha ministrja Albana Koçiu.
Kardiologjia, endokrinologjia, kirurgjia, pediatria, dhe dermatologjia, janë degët më të preferuara, në të cilat të diplomuarit në mjekësi preferojnë të vijojnë ciklin e studimeve të specializimit afatgjatë.
Por sistemi ynë shëndetësor vijon të vuajë edhe ikjen e mjekëve specialiste jashtë vendit. ndaj kjo shihet si një tjetër zgjidhje për të ndalur eksodin e bluzave të bardhave. /vizionplus.tv