Ndryshime në ligjin e policisë, Balla: U hapim rrugë të rinjve për të bërë karrierë

4 months ago 30

Ligji i Policisë së Shtetit pritet që të kalojë në Këshillin e Ministrave për miratim brenda një jave dhe pritet që të sjellë ndryshime thelbësore brenda radhëve të uniformave blu. Ministri i Brendshëm Taulant Balla tha se ky ligj i jep më shumë mundësi të rinjve që të promovohen në grada, ndërkohë që për postin e drejtorit të përgjithshëm është vendosur një afat mandati.

“Kemi propozuar një reduktim të numrit të gradave të gjithë nivelit të strukturës së gradave në polici, me qëllim që t’i japim mundësi të rinjve që të bëjnë para në karrierën e tyre deri në nivelet më të larta drejtuese të policisë. Kemi futur edhe konceptin e mandatit, jo vetëm drejtori ka një mandat të caktuar kohor, jo vetëm drejtori apo zv.drejtori i përgjithshëm por edhe drejtorët e Drejtorive Vendore kanë një mandat që ndërlidhet me performancën, duam të garantojmë një strukturë policore dhe drejtues në nivel vendor që të jenë të sigurt, të fortë dhe udhëheqës në atë mandat që kanë për të garantuar rendit dhe luftë kundër çdo lloj forme kriminaliteti”, tha ministri i Brendshëm Taulant Balla.

I pyetur në lidhje me mundësinë e ekstradimit të Durim Bamit nga Dubai apo të personazheve të tjerë të botës së krimit që fshihen në këtë vend Balla u shpreh:

Kjo është diçka për të cilën ne jemi në kontakt me organet kompetente me të cilat kemi një komunikim të shkëlqyer dhe që dua ta them shumë qartë që  jemi në fazën e vlerësimit të dokumentacionit të përgatitur nga prokuroria e Posaçme nga pala e Emirateve të Bashkuara. Mos harroni që edhe ata kanë procedurat e tyre gjyqësore. Unë jam i bindur që kjo qasje se Dubai është një oaz që mund t’i shpëtosh përballjes me drejtësinë jo vetëm shqiptare, por të shumë vendeve, edhe autoritet e këtij vendi mik e kuptojnë qartë dhe në rastet si ai që ju përmendni i kemi të gjithë instrumentat për ta tejkaluar dhe që të vendoset para drejtësisë shqiptare”.

Kreu i Policisë Muhamet Rrumbullaku tha se në këto raste nuk është e nevojshme për një marrëveshje ekstradimi mes dy vendeve.

Duke folur për Zyrën e Rikuperimit të Aseteve Kriminale, Balla e vlerësoi si një tjetër nisëm e qeverisë ku nën moton ndiq paratë, është një tjetër aset për të goditur grupet kriminale kryesisht në bllokimin e pasurive të tyre./vizionplus.tv

Read Entire Article