Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka thënë se “faza intensive” e luftimeve në Rafah në Gazën jugore pothuajse ka përfunduar, por kjo nuk do të thotë se luftës po i vjen fundi.
Ai tha se lufta do të vazhdojë derisa Hamasi të largohet plotësisht nga pushteti.
Ai shtoi se ushtria izraelite së shpejti do të jetë në gjendje të ridislokojë trupa në kufirin me Libanin, ku shkëmbimet e zjarrit me Hezbollahun janë përshkallëzuar.
Netanyahu gjithashtu hodhi poshtë idenë që Autoriteti Palestinez me bazë në Bregun Perëndimor duhet të drejtojë Gazën në vend të Hamasit.
“Në fund, do t’ju duhet të bëni dy gjëra: do t’ju duhet çmilitarizimi i vazhdueshëm ushtarak nga Forcat Mbrojtëse të Izraelit dhe do t’ju duhet të krijoni një administratë civile, me mbështetjen dhe menaxhimin e vendeve të caktuara në rajon. Mendoj se kjo është mënyra e duhur për të ecur përpara”, tha ai në një intervistë televizive izraelite.
“Unë nuk jam gati të krijoj një shtet palestinez atje, nuk jam gati t’ia dorëzoj Autoritetit Palestinez. Unë nuk jam gati ta bëj këtë. ”
Banorët e Rafahut thanë se kishte pasur më shumë përleshje në qytet, ndërsa sulmet ajrore izraelite në qytetin e Gazës vranë drejtorin e shërbimeve të urgjencës të ministrisë së Shëndetësisë të drejtuar nga Hamasi.
Një qendër e shpërndarjes së ndihmave u godit gjithashtu dhe IDF tha se po përdorej nga Hamasi.
Ministri izraelit i Mbrojtjes Yoav Gallant ka nisur një vizitë në Uashington, për të diskutuar luftën në Gaza dhe tensionet në rritje me Hezbollahun, i cili mbështetet nga Irani.
Ushtria izraelite nisi një fushatë për të shkatërruar Hamasin në përgjigje të sulmit të paprecedentë të grupit të armatosur palestinez në Izraelin jugor më 7 tetor, gjatë të cilit rreth 1200 njerëz, kryesisht civilë, u vranë dhe 251 të tjerë u morën peng.
Më shumë se 37,551 njerëz janë vrarë në Gaza që atëherë, sipas ministrisë së Shëndetësisë të territorit të Hamasit./vizionplus.tv