Nga Italia në Shqipëri, mbërrin në portin e Shëngjinit anija “Libra”, vijnë emigrantët e parë nga Bangladeshi dhe Egjipti

4 hours ago 25

Anija “Libra” e Marinës Italiane, ka mbërritur mëngjesin e sotëm në brigjet e Shqipërisë, ku pritet të ankorohet në portin e Shëngjinit.

Në anije ndodhet grupi i parë i emigrantëve të kapur në brighet italiane, të cilët do të akomodohen në qendrat e ngritura në Shqipëri për t’iu nënshtruar procedurave të përshpejtuara kufitare.

Grupi i parë përbëhet nga 16 persona, 10 shtetas nga  Bangaldeshi dhe 6 egjiptianë të cilët pasi t’i nënshtrohen verifikimeve në Shëngjin do të transferohen në Gjadër, ku është ngritur edhe një paraburgim dhe është caktuar kontigjent oficerësh dhe policësh italianë për ruajtjen, kujdesin dhe procedurat.

Çfarë ndodh në Shqipëri

Sapo anija të mbërrijë në portin e Shëngjinit, migrantët do të zbresin dhe do t’i nënshtrohen një kontrolli të plotë.

Më pas ata do të transferohen në Gjader, ku janë tre struktura të dorëzuara më 9 tetor në Ministrinë e Brendshme italiane për testim, një qendër për strehimin e personave që kanë aplikuar për azil me 880 vende (nga të cilat vetëm 400 janë gati deri më sot, më pak se gjysma), një CPR me 144 vende dhe një burg i vogël me 20 vende.

Azilkërkuesit do të marrin një përgjigje brenda katër javësh: nëse përgjigja është pozitive ata do të transferohen në qendrat e pritjes në Itali. Përndryshe ata do të kthehen në vendin e tyre të origjinës.

Marrëveshja me Italinë për emigrantët u firmos më 6 nëntor 2023 në Romë mes kryeministrit Edi Rama dhe kryeministres italiane Giorgia Meloni dhe ngjalli shumë detabe në të dy anët e Adriatikut. Ndërkohë, punimet përfunduan vetëm disa ditë më parë, 11 tetor 2024.

Sipas marrëveshjes me Italinë të nënshkruar mes dy qeverive më 6 nëntor të vitit të shkuar, porti i zbarkimit të refugjateve nga vendet e treta do të jetë Shëngjini, ndërsa qendra pritëse është në Gjadër, ku do të qëndrojnë deri në shqyrtimin e kërkesave për azil.

Marrëveshja e nënshkruar nga Kryeministrat e Italisë dhe Shqipërisë mbetet në fuqi për pesë vjet , me mundësinë e zgjatjes nëse rezulton e suksesshme në reduktimin e barrës së emigranteve për Italinë dhe parandalimin nga përpjekja për të ardhur në Itali për disa prej tyre.

Ndërkohë, procedurat e transferimit dhe pritjes do të menaxhohen së bashku nga autoritetet italiane dhe shqiptare, me asistencën e organizatave ndërkombëtare aktive në zonë.

Qendrat do të ofrojnë jo vetëm strehim të përkohshëm, por edhe kujdes shëndetësor bazë dhe mbështetje ligjore për migrantët. Në bazë të rezultatit të kërkesave të tyre, personat e pritur mund të transferohen në Itali ose vende të tjera evropiane, ose të riatdhesohen në vendet e tyre të origjinës, nëse nuk kanë të drejtë të qëndrojnë në Evropë.

Prandaj, funksionimi i qendrave shqiptare përfaqëson një pikë vendimtare për të ardhmen e politikës italiane të migracionit dhe në përgjithësi, për menaxhimin e flukseve migratore në Evropë./vizionplus.tv

Read Entire Article