Gjykata italiane ka kërkuar në total rreth 200 vite burg për të arrestuarit lidhur me kapjen e 114 kilogramëve kokainë. Në mesin e të arrestuarve ka edhe shqiptarë, të cilën në bashkëpunim me shtetas italianë rezultojnë të përfshirë në trafikun ndërkombëtar të drogës.
Goditja e këtij grupi kriminal u bë në verën e vitit 2023, ku u kapën dhe sekuestruan rreth 114 kilogramë kokainë, 37 kilogramë hashash dhe më shumë se një milion euro cash. Në total u vunë në pranga 13 persona.
Hetimet përfshinë edhe ish-deputetin italian, Gianluca Pini, i cili u arrestua në vitin 2023 dhe qëndroi në burg për disa ditë.
Mes të arrestuarve për trafik droge, në qershor 2023, ishte edhe një shofer kamioni, Gianluca Fiore, mik i ish-deputetit, për të cilin u kërkua dënimi me 14 vite burg.
Ai rezulton të jetë pronari i kompanisë së kamionëve me të cilën transportohej lënda narkotike, në bashkëpunim me shqiptarët e arrestuar dhe të njohur në botën e krimit.
Procedimi filloi me një arrestim të kryer në dhjetor 2019, si pjesë e një hetimi nga Prokuroria e Forlit për një aktivitet të trafikut të drogës të nga një grup kriminal shqiptar.
Hetuesit dyshonin se një nga furnizuesit e grupit ishte Gianluca Fiore, në bashkëpunim me trafikantët shqiptar. Një nga bashkëpunëtorët e tij, rezulton të jetë përfshirë edhe më herët në këtë aktivitet, pasi ka transportuar mbi 30 kilogramë heroinë në vitin 2004 dhe është pjesë e një grupi të strukturuar kriminal./vizionplus.tv