Një “shtet” mysliman mund të krijohet brenda shtetit shqiptar, në Tiranë. New York Times i ka kushtuar një artikull mundësisë së krijimit të një shteti të stilit të Vatikanit në Shqipëri.
Po sipas NYT, kryeministri Edi Rama dëshiron t’u japë anëtarëve të Bektashinjve enklavën e tyre të stilit të Vatikanit si një mënyrë për të promovuar tolerancën fetare.
Ajo do të jetë një enklavë sovrane e stilit të Vatikanit me madhësinë e pesë blloqeve të qytetit të Nju Jorkut dhe do të lejojë alkoolin, gratë do të lejohen të veshin çfarë të duan dhe nuk do të imponohen rregulla të stilit të jetesës.
“Zoti nuk ndalon asgjë; prandaj na dha mendjen”, tha kleriku Edmond Brahimaj, i njohur si Baba Mondi, duke shpjeguar se si synon të sundojë mbi një copë toke prej 27 hektarësh që Shqipëria dëshiron ta kthejë në një shtet sovran me administratën e saj, pasaportat dhe kufijtë.
Kryeministri shqiptar Edi Rama thotë se në të ardhmen e afërt do të shpallë planet për entitetin, që do të quhet Shteti Sovran i Urdhrit Bektashi.
“Të gjitha vendimet do të merren me dashuri dhe mirësi,” tha Baba Mondi, 65 vjeç, një ish-oficer i Ushtrisë Shqiptare, i cili nderohet nga miliona në mbarë botën me titullin e tij zyrtar, Shenjtëria e Tij Haxhi Dede Baba. Ai është udhëheqësi kryesor i Bektashinjve.
Në një intervistë, kryeministri Rama tha se qëllimi i shtetit të ri ishte të promovonte një version tolerant të Islamit me të cilin krenohet Shqipëria.
“Ne duhet të kujdesemi për këtë thesar, që është toleranca fetare dhe që nuk duhet ta marrim kurrë si të mirëqenë,” tha ai.
Një mikroshtet i moderuar islamik, tha kryeministri, do të dërgonte një mesazh: “Mos lejoni që stigma e muslimanëve të përcaktojë se cilët janë muslimanët”.
Territori i shtetit të ri islamik të propozuar është një kompleks në një lagje banimi me qira të ulët në Tiranën lindore. Është vetëm një e katërta e madhësisë së qytetit të Vatikanit, aktualisht vendi më i vogël në botë, i qeverisur nga Papa, një monark absolut.
Baba Mondi tha se “madhësia nuk ka rëndësi”, duke shtuar, “Unë nuk kam nevojë të jem diktator”, megjithëse ai pranoi se i vetmi kufizim domethënës në autoritetin e tij do të jetë Zoti.
“Vetëm Zoti,” tha ai, “nuk bën gabime.”
Zona bektashiane përmban një sallë mbledhjesh dhe lutjesh me kube, një muze që tregon historinë e urdhrit, një klinikë, një arkiv dhe zyrat administrative të Baba Mondit.
Ekstremistët myslimanë që vendosin bomba dhe përdorin dhunën për të përhapur versionin e tyre të besimit, tha ai, “janë thjesht kauboj”.
Bektashinjtë e zhvendosën selinë e tyre në Tiranë nga Turqia gati një shekull më parë.
Ndonëse një nga vendet më të varfra të Evropës, Shqipëria ka një histori të gjatë të ndihmës së njerëzve në nevojë, strehimit të hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe afganëve që ikin nga talebanët në 2021./vizionplus.tv