Ditën e sotme po mbahet mbledhja e dytë e Komisionit Antikorrupsion. Njësoj si në mbledhjen e parë, opozita ka zgjedhur të bojkotojë mbledhjen. Kryetari i kërij Komisioni, Fatmir Xhafaj u shpreh i keqardhur për mungesën e opozitës dhe i bëri thirrje të reflektojnë dhe të jenë pjesë e mbledhjeve të ardhshme, në të mirë të vendit.
Xhafaj: Ne mbetemi të keqardhur që ende opozita nuk po bëhet pjesë e aktivitetit normal të Komisionit. Kuvendi ka miratuar ngritjen e këtij Komisioni të Posaçëm Parlamentar dhe gjithashtu ka miratuar përbërjen e këtij komisioni duke përcaktuar anëtarët që do të jenë nga mazhoranca dhe opozita. Do të duhej që kolegët e nderuar të opozitës të merrnin pjesë sipas detyrimit të Kuvendit dhe si një nevojë e domosdoshme, jetike, për të qenë pjesë e një procesi të tillë reformues. Shpresoj shumë në reflektimin e tyre dhe besoj që hap pas hapi, duke ecur para me procesin përgatitor, do të kuptojnë kushtetueshmërinë, qëllimin e këtij procesi, rëndësinë që ka ky proces për integrimin e vendit dhe të ardhmen e vendit. Pikërisht duke dëshmuar këtë qasje, në ditët që vijnë, unë besoj që opozita dhe jo vetëm opozita, por dhe shumë faktorë dhe aktorë të tjerë të cilët janë ftuar publikisht nga ne do të jenë pjesë e këtij procesi transparent dhe gjithëpërfshirës.
vijon…