Opozita protestë në Strasburg, PD kërkon para Parlamentit Europian lirimin e Berishës, Salianjit e Metës

3 hours ago 19

Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike ka organizuar një protestë simbolike në Strasburg para Parlamentit Europian  për të sensibilizuar eurodeputetët për problemet me të cilat përballet Shqipëria sot, si pasojë e keqqeverisjes së kryeministrit Edi Rama.

31 deputetë demokratë për një orë protestuan para godinës së Parlamentit duke synuar ti tregojnë BE-së se Shqipëria është sot nën diktaturë dhe zgjedhjet janë në rrezik për shkak se rezultati i tyre përcaktohet nga lidhjet të qeverisë me krimin, sipas PD.

Ligjvënësit e PD mbanin në duar pankarta ku shkruhej lironi Sali Berishën dhe Ervin Salianjin, pasi sipas tyre, izolimi i kryetarit të PD-së Berisha dhe ish-deputetit Salianji është bërë me urdhër politik. Por, nga ana tjetër demokratët ngritën në Strasburg edhe çështjen e arrestimit të ish-presidentit Ilir Meta.

“Ne duhet të sensibilizojmë të gjitha institucionet ndërkombëtare për atë që po ndodh në Shqipëri. Një situatë që po rëndohet çdo ditë e më shumë. Nuk jemi në prag-diktature, jemi në diktaturë. Ajo që ndodhi me ish-Presidentin me një rrëmbim banditesk i bërë qëllimisht nga Edi Rama nuk duhet të ketë asnjë dyshim se pas një akti të tillë është dora e Edi Ramës është si të thuash fundi i asaj që konsiderohet demokraci në Shqipëri,” tha Edi Paloka.

Paralelisht me protestën një grup deputetësh demokratë zhvilluan takime me kryetarin e komisionit të jashtëm të Parlamentit Europian David Mcallister si dhe me disa eurodeputetë. Gjatë këtyre takimeve deputetët e PD ngritën shqetësimin e izolimit të Sali Berishës dhe arrestimit të Ervin Salianjit si dhe goditjen që po i bëhet lidershipit të opozitës në prag të zgjedhjeve parlamentare. /vizionplus.tv

Read Entire Article