Rama: Nuk pranojmë paga jo reale! Kryeministri paralajmëron bizneset se nuk do të ketë asnjë tolerim

2 hours ago 14

Kryeministri Edi Rama ka ashpërsuar tonet ndaj komunitetit të biznesit, që sipas tij po përfiton nga rritja ekonomike, por nga ana tjetër vijon të shmangë pagesat e duhura të sigurimeve shoqërore.

Në ditën e tretë të diskutimeve për rritjen e pensioneve, shefi i qeverisë ishte i qartë kur tha se do të refuzohet çdo pagë që konsiderohet jo reale.

“Mesazhi është i qartë, ne nuk do të pranojmë më paga që nuk i besojmë. Dhe kjo nuk do të ndodhë në mënyrë arbitrare, por në bazë të analizave që na jep tregu. Ne nuk do të pranojnë më ndërtues që deklarojnë pagë 600 mijë lekë. Do i themi ky deklarim që ke bërë është i gabuar. Rishikoje. Nëse nuk ka rishikim situata do të shkojë deri në kolaps të biznesit”, tha Edi Rama gjatë takimit me strukturat e shtetit për planin e rritjes së pensioneve.

Një mesazh të qartë e kishte dhe për biznesin e vogël, i cili mban një peshë të konsiderueshme në vetëpunësim, i cili është përjashtuar nga taksat.

“Sa i përket biznesi të vogël. Ky quhet autograbitje, pasi nuk paguajnë sigurimet për pagat reale, për pagat e tyre. Ne do të marrim masa që do të shkojnë deri në mbyllje të biznesit”, deklaroi Rama.

Aksioni i qeverisë për të ulur informalitetin në paga do të shoqërohet me kontrolle, verifikime dhe hetime në terren. Por a është kjo lëvizje e qeverisë një kërcënim për biznesin?

“Ky nuk është kërcënim, aspak. Ky është të qenit transparentë me atë çfarë duam, të bëjmë”, tha shefi i qeverisë.

Arma e fundit që qeveria ka në dorë për tregun e pagave është zbatimi i ligjit si në vendet nordike.

“Ne po shohim dhe studiojmë mundësinë që ta bëjmë si Norvegjia ta publikojmë pagën e gjithsecilit, për të kuptuar se sa paguajnë cilido në këtë vend. Por kjo është arma e fundit”, tha ai.

Qeveria synon të rrisë pensionet, por këtë rritje kërkon ta marrë nga reduktimi i informalitetit në tregun e pagave, që sipas qeverisë konsiderohet ende i lartë. Thuajse 40 % e të punësuarve rezultojnë të deklaruar me pagë minimale nga 40-50 mijë lekë muaj. /vizionplus.tv

Read Entire Article