Papa Françesku ka thënë se kënaqësia seksuale është “një dhuratë nga Zoti” që duhet “disiplinuar me durim”.
Ai gjithashtu paralajmëroi kundër pornografisë, për të cilën tha se sillte “kënaqësi pa marrëdhënie” dhe mund të çonte në varësi, shkruan BBC.
Papa po fliste para qytetarëve në Vatikan të mërkurën.
Fjalimi, pjesë e një serie predikimesh mbi veset dhe virtytet, u fokusua në atë që Papa e quajti “demoni i epshit”.
Papa tha se epshi “shkatërron marrëdhëniet mes njerëzve” dhe shtoi se “lajmet e përditshme mjaftojnë për të dokumentuar këtë realitet”.
“Sa marrëdhënie që filluan në mënyrën më të mirë janë bërë më vonë marrëdhënie toksike?” pyeti ai.
Papa i bëri komentet disa ditë pasi kreu i tij i ri i doktrinës, kardinali Victor Manuel Fernández, u kritikua për një libër që ai shkroi dhe botoi në fund të viteve 1990 të titulluar Pasioni Mistik: Spiritualiteti dhe Sensualiteti.
Libri, diskutoi seksualitetin njerëzor dhe jepte përshkrime të hollësishme të përvojave mashkullore dhe femërore gjatë orgazmave. Duke folur për botimin online katolik Crux, kardinali Fernández tha se ai e shkroi librin kur ishte ende i ri dhe “me siguri nuk do ta shkruante” tani.
Kjo nuk është hera e parë që Papa Françesku apo Kardinali Fernandez kanë tërhequr zemërimin e anëtarëve konservatorë të komunitetit katolik.
Në dhjetor, kardinali Fernández prezantoi një tekst, të miratuar më vonë nga Papa Françesku, duke detajuar udhëzimet që lejojnë priftërinjtë të bekojnë marrëdhëniet e çifteve të të njëjtit seks që ende konsideroheshin mëkatare./vizionplu.tv