Një pakistanez i akuzuar për përdhosje të Kuranit u linçua për vdekje sot nga një turmë që sulmoi një stacion policie në distriktin Swat dhe e tërhoqi zvarrë jashtë. Sulmuesit më pas i vunë zjarrin trupit, tha një zyrtar i policisë për AFP.
“Të enjten pasdite, banorët e Madianit në verilindje të Pakistanit, afër kufirit me Afganistanin , “arrestuan” burrin, duke e akuzuar atë për djegien e një kopje të Kuranit”, tha një zyrtar i policisë për AFP, duke sqaruar se i akuzuari nuk ishte një vendas.
“Policët ndërhynë dhe e çuan në komisariat”, i cili megjithatë u rrethua nga një turmë e tërbuar. Disa burra hynë në departament dhe, megjithëse oficerët e policisë qëlluan në ajër për t’i parandaluar, ata e larguan me forcë të akuzuarin dhe “e linçuan për vdekje “, shtoi ai. “Më pas i kanë hedhur benzinë trupit të pajetë dhe i kanë vënë flakën”, tha ai në kushte anonimiteti.
Blasfemia është një çështje jashtëzakonisht e ndjeshme në Pakistan, ku edhe akuzat pa prova shpesh shkaktojnë incidente të dhunshme.