Pazare të mirëfillta për jetën. Kush paguan mijëra euro merr mjekim, ndërsa qytetarët e varfër të prekur nga kanceri nuk përfillen në spitalin shtetëror të Onkologjikut në QSUT.
Përgjimet e mjekëve, shefave të këtij spitali dhe stafit tjetër mjeksor kanë nxjerrë në pah mega-skandalin që tregon qartë pazaret për para për të mbushur xhepat e jakave të bardha.
Lexo edhe :
Related Posts
Ishin denoncimet e qytetarëve që zbuluan skemën kriminale të spitalit shtetëror. Mjekët, Edmond Gashi dhe kolegët e tij i kryenin operacionet në klinikën e tyre private ‘Megis’ në Astir dhe jo në shtet.
Një operacion kushton 3 mijë euro, por nëse të linte takim Emiljano Lela me detyrë koordinator pranë Onkologjikut mund të përfitoje një ulje prej 300 eurosh. Jo vetëm operacionet, por në këtë klinikë, mjekët dërgonin pacientët në gramat e fundit të jetës edhe për kimioterapi.
Jo vetëm kaq: në spitalin onkologjik mungonin edhe ilaçet e kimioterapisë. Sipas dosjes hetimore janë siguruar prova që tregojnë se punonjësit e këtij pavioni pasi merrnin kurat e plota për pacientët e regjistruar, të siguruara nga shteti, nuk i jepnin pacientëve mjekimin e plotë, por një pjesë e kurës nxirrej në shitje jashtë spitalit, në dy farmaci në Tiranë. Një medikament për kimion është shumë i kushtueshëm dhe flakoni varion nga 250 deri në 1500 euro.
Përveç rastit kur medikamenti për kimio nxirrej dhe tregtohej jashtë ambienteve spitalore ka raste të tjera kur brenda spitalit, ilaçi që ishte regjistruar për një pacient që kishte rradhën, i jepej një tjetri, familjarët e të cilit kishin paguar më shumë për ta përfituar jashtë rradhe.
Një tjetër skandal janë përgjimet e një pacienti që komunikon me një person te identifikuar si Silvana që punon në këtë spital.
Kjo e fundit i thotë që nuk ka rradhë, por mjekët e bëjnë qëllimisht për t’i operuar në privat. Silvana nuk është pjesë e 7 personave të vendosur nën hetim. Madje ajo sugjeron vetëm doktor Edmond Gashin për operacione të tilla.
Jo vetëm kaq, por pazaret me jetën e pacientëve bëhen edhe për pushime ekzotike. Në mesazhe janë gjetur dhe biseda ku mjekët diskutojnë për pushime në Maldive duke i siguruar lekët me vetëm 5 operacione.
Ky është një nga skandalet më të mëdha të zbuluar ndonjëherë, ku përgjimet nxjerrin në pah sjelljen kriminale të mjekëve në spitalin shtetëror./vizionplus.tv