Përurohet kopshti “Ylberi”, Veliaj: Do të vijojmë ndërtimin e ambienteve komode për të vegjlit

1 month ago 19

Me fillimin e vitit të ri shkollor, kopshti “Ylberi” në Njësinë 1 në Tiranë pret çdo ditë në mjediset e reja rreth 180 fëmijë. Në përurimin e ndërtesës së re, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj tha se ky kopësht vijon traditën e kësaj administrate, e cila njihet për transformimin e shkollave, kopshteve dhe çerdheve.

 “Kemi kopshte me ashensorë, me super kuzhina, me ushqime të freskëta, që konsumohen brenda ditës. Këtë standard e kemi traditë në bashki sepse ne nuk ndërtojmë vetëm një ndërtesë, por një komunitet. Pra, nuk është një hapësirë ku sjellim 180 fëmijë gjatë ditës, por një ndërtesë komunitare, ku fëmijët mësojnë aftësitë bazë. Ky shtator ka qenë i jashtëzakonshëm, me hapjen e disa shkollave të reja, por do të vazhdojmë t’i shtojmë kopshtet. Në 2015 morëm një situatë kur kopshtet ishin të degraduara, kishte më pak se 3 mijë fëmijë. Sot kopshtet tona frekuentohen nga 17 mijë fëmijë”, tha Veliaj.

Kryebashkiaku theksoi se do të vijojë hapja e kopshteve të reja në lagjet jashtë qendrës së kryeqytetit.

“Ne do të sigurohemi që, edhe në disa hapësira të tjera, sidomos në zona si Fresku, lagjja Rilindja, Liqeni i Thatë, të shkojmë me një sistem qiraje, aty ku nuk kemi mundësi të ndërtojmë pronat e bashkisë. Pra, të ketë një hyrje më vete, të ruhet privatësia, të mos ketë komunikim me banorët e pallateve etj. Dua të falenderoj të gjithë prindërit për besimin”, tha ai.

Erjon Veliaj u ndal edhe tek vëmendja për fëmijët me autizëm dhe sindromën doën. Ai tha se përveç mësuesve specialë në kopshte, po punohet për ndërtimin e një qendre, e cila do të ndihmojë fëmijët me aftësi të veçanta. /vizionplus.tv

Read Entire Article