Përurohet shkolla e mesme e Gjuhëve të Huaja “Asim Vokshi”, Veliaj: Kur bëhemi bashkë, bëjmë gjëra të bukura

9 months ago 39

Përurohet shkolla e mesme e Gjuhëve të Huaja “Asim Vokshi” në Tiranë, e cila do të mirëpresë 750 nxënës në mjediset e reja. Gjimnazi ofron kapacitete të zgjeruara dhe hapësira moderne për nxënësit dhe është rindërtuar me mbështetjen e programit EU4Schools, financuar nga BE dhe zbatuar nga UNDP. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i pranishëm sot në ceremoninë e përurimit, së bashku me Ambasadorin e Bashkimit Europian në Tiranë, Silvio Gonzato përfaqësuesin e UNDP, Francisco Roquette dhe ministren e Arsimit, Ogerta Manastirliu, u shpreh shumë i kënaqur me xhevahirin e ri që i shtohet buqetës së 40 shkollave të reja në kryeqytet.

“Ndihem i bekuar sot sepse kemi prodhuar një histori suksesi. Kemi ndërtuar dhe rikonstruktuar një sërë shkollash te ‘Don Bosko’ si, ‘Jeronim De Rada’, ‘Hasan Vogli’, ‘Qazim Turdiu’, ‘Vaçe Zela’, ‘Kristo Frashëri’, por ajo që kam kuptuar është se sa herë që mbaron një shkollë e re, aty rifillon edhe një komunitet i ri. Shumë prej këtyre shkollave kanë qenë një rifillim për gjithë jetën komunitare, pasi janë hapësira jo vetëm për nxënësit, por edhe për komunitetin që e përdorin palestrën pas mësimit, për një shoqatë që mëson fëmijët me sportin”, u shpreh Veliaj.

Më tej, ai shtoi se Tirana e sotme është shumë ndryshe nga Tirana e 2015-ës. Sot, nënvizoi Veliaj, ka një transformim të jashtëzakonshëm të realitetit, pasi 25% e Tiranës prodhon turizëm dhe 25% teknologji informacioni. Kryebashkiaku risolli në vëmendje edhe ndërtimin e kampusit permanent të Kolegjit të Europës.

“Përtej kampusit të përkohshëm duam të kemi edhe një kampus të përhershëm për Kolegjin e Europës. Do të ndërtohet te ish parkingu i autobusëve, që shërbente si terminal provizor, pranë Qytetit Studenti. Shumë shpejt nisim punën aty. Është një kompliment për Tiranën, për Shqipërinë, për të gjithë ambicien tonë europiane, çka tregon se me miq të mirë asnjë vend nuk është i pashpresë. Nëse një vend e ndan mendjen, nëse një vend mobilizohet, nëse një qeveri, një bashki, një skuadër, sistemi jonë arsimor, e ndan mendjen që do të ecim para, ja ku jemi sot. E filluam të fundit procesin e integrimit, sot jemi numër një. Kishim Samitin e B40-ës këtë javë, pritëm të gjithë kryetarët e bashkive të rëndësishme të rajonit. Ne mund ta bëjmë këtë vend të duket si mesjetë, siç ka ndodhur në historitë tona të vështira të 97-98-ës, ose mund ta bëjmë këtë vend të jetë hapsira më europiane e Ballkanit”, tha Veliaj.

Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu falenderoi kryebashkiakun Veliaj për gjithë transformimin e bërë në sistemin arsimor në Tiranë.

“Falenderoj nga zemra Lali Erin. E para sepse Tirana i ka rinovuar dhe modernizuar të gjithë rrjetin e shkollave dhe pa këtë modernizim që ka ndodhur ne nuk do të arrijmë dot kurrë të modernizojmë edhe bërthamën kurrikulare të sistemit arsimor në të gjitha nivelet e studimit. Atë që në fakt jemi duke bërë nëpërmjet programit që, së bashku me kryeministrin Rama edhe me prezencë dhe mbështetjen e BE edhe të një sërë partnerësh të tjerë, ne duam që të startojmë duke hapur kështu një kapitull të ri të zhvillimit të sistemit arsimor”, tha Manastirliu.

Edhe përfaqësuesi i UNDP, Francisco Roquette shprehu falënderimet e tij për kryetarin e Bashkisë së Tiranës dhe ministren e Arsimit për bashkëpunimin e tyre gjatë gjithë këtij udhëtimi.

“Jam veçanërisht i nderuar që jam sot këtu, për të shënjuar një themel të rëndësishëm në inaugurimin e kësaj shkolle fantastike. Qëndron si një provë e vërtetë e fuqisë transformuese të programit të Bashkimit Europian për shkollat. Programi “EU4Schoools” thekson vlerën e rëndësishme të arsimit cilësor. Siç demonstrohet nga 750 nxënësit dhe 62 mësuesit, të cilët tani mund të mësojnë dhe të japin mësim, të nxënë dhe të mësojnë në një ambient më të mirë. Shkolla e re ofron ngrohje qendrore me efiçencë energjie, të cilën besoj ju do ta vlerësoni nga dita në ditë, akses për nxënësit me aftësi të kufizuara, palestër e brendshme, laborator kimie, mbështetje psikologjike dhe dhoma të psikologut”, tha ai.

Ambasadori i BE-së në Shqipëri, Silvio Gonzato vlerësoi punën e bërë në Tiranë nga kreu i Bashkisë së Tiranës, që nga shkollat, kopshtet, çerdhet e deri te korsitë e biçikletave.

“Ky është një nga ato projekte për të cilat jam më shumë krenar. Kishte të bënte me solidaritetin, si një nga vlerat kryesore të BE. Këtu nuk ishte ideja vetëm për të ndërtuar shkolla, por për të krijuar një sistem arsimi modern. Ne duhet të kemi njerëz që mund të arrijnë në krye të Shqipërisë e ta bëjnë këtë një vend modern, efikas, pa korrupsion, ku njerëzit kanë të ardhmen e tyre të ndritur, ndaj ne kemi investuar kaq shumë. Duhen promovuar po ashtu edhe stimuj në mënyrë që punëdhënësit të marrin në punë rininë, ndaj këtë skemë kaq të rëndësishme të BE e kemi sjellë edhe në Shqipëri. Ne duhet t’ju japim mundësi që ju të nxirrni në pah potencialin tuaj”, u shpreh Ambasadori i BE. /vizionplus.tv

Read Entire Article