Pesë të pandehur për “Partizanin”, SPAK akuzon për pastrim parash noteren e familjes Berisha, Andia Pustina

1 month ago 29

Shkon në pesë numri i të pandehurve për dosjen Partizani. E fundit që u njoh me akuzën e pastrimit të parave ishte, Andia Pustina që pajiste kompaninë “Homeplan”me dokumentacionin e nevojshëm financiar e ligjor.

Në deklarimet që ka dhënë ndërtuesi, Fatmir Bektashi bëhet e ditur se Andia Pustina është zgjedhur nga Jamarbër Malltezi e kushëriri i tij, Xhimi Begeja për të përfaqësuar këtë shoqëri.

“Të gjitha aktet që lidhen me aktivitetin e shoqërisë “Homeplan” si nga ana financiare dhe juridike i kanë përgatitur Andia Pustina dhe unë vetëm i nënshkruaja. Unë nuk kam marrë pjesë pra në procesin e vendimmarrjes por vetëm i nënshkruaja ato që përpilonte Andia Pustina”, thuhet në njoftim.

SPAK thotë se pa pjesëmarrjen e ish- kryeministrit asnjë nga procedurat ligjore nuk do të ishte kryer, madje sipas prokurorëve ai vuri të gjithë aparatin shtetëror në funksion të dhëndrit të tij.

“Shtetasi Sali Berisha, në cilësinë e kryeministrit, me detyrën për t’i shërbyer qytetarëve, ka zgjedhur t’i japë ligjeve dhe akteve nënligjore, formën që i përshtatet interesave të familjes së tij. I vetmi që kishte pushtetin e mjaftueshëm për të kontrolluar të gjithë sektorët ku mund të realizoheshin këto objektiva, ishte Sali Berisha”, thuhet më tej.

Lidhur me procedurat e privatizimit të kompleksit sportiv partizani, SPAK ngre pyetjen se pse nuk e kishin bërë më herët kërkesën e privatizimit, por vetëm pasi e gjithë organika shtetërore u vu në dispozicion të dhëndrit të Berishës.

Këtë fakt SPAK e bazon në propozimin që ish- shefi i ekzekutivit në 2006 i bëri këshillit të ministrave për të ndryshuar ligjin për kthimin e kompensimin e pronave duke krijuar një Agjenci me të njëjtin emër, organika e të cilës ishte në varësi direkte nga kryeministri. /vizionplus.tv

Read Entire Article