Pas administratës qendrore të Bashkisë së Tiranës, kompania e njohur gjermane e certifikimit të standardeve të shërbimit “DEKRA”, ka vlerësuar me certifikatën ISO-9001 edhe punën e Policisë Bashkiake të Tiranës, e cila bëhet kështu, trupa e parë e policisë në vendin tonë që merr këtë lloj vlerësimi. Pas marrjes së certifikimit nga drejtuesit e DEKRA-s, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj tha se ky është një vlerësim i jashtëzakonshëm për Policinë Bashkiake dhe punën e saj në këto 10 vjet.
“E vlerësoj shumë përkushtimin tuaj disa mujor për të kontrolluar të gjitha procedurat e më në fund, për të certifikuar Policinë Bashkiake me certifikatën e standardeve ISO-9001 215, si e vetmja polici në Republikën e Shqipërisë me këtë lloj vlerësimi. Më vjen mirë që e dëgjova edhe në fjalimin tuaj se jeni ndjerë i sigurt në Tiranë. është një lajm që e ndajnë, deri tani për ketë vit, edhe nga 9 milionë turistë që kanë vizituar qytetin tonë. Sot, Tirana, kur vjen puna për rastet e krimeve të vogla, ka numrin më të ulët në rajonin tonë dhe Evropën Jugore. Ajo që nisi dikur, në vitet 2000-01, si një skuadër shumë e vogël me vetëm 30 policë, sot është një trupë e jashtëzakonshme e 600 burrave e grave. Unë nuk e di nëse do ta kalonim dot certifikimin ISO, kur e filluam këtë punë në vitin 2015, kur një pjesë e madhe e trupës policore që gjetëm ishte jashtë çdo standardi. Në pjesën më të madhe, as nuk vinte në punë. Kurse, ata që vinin në punë, në fakt bashkëpunonin me krimin. Por, sot Policia Bashkiake është aleate me qytetarin”, deklaroi Veliaj.
Kryebashkiaku tha se aleati i Policisë Bashkiake sot janë vetëm qytetarët dhe jo ata që zënë parkimin e lagjes për të bërë biznes informal. Ai u ndal edhe te puna e policisë në ndihmë të agjencive të tjera të bashkisë.
“E di që ka deputetë, të cilët mërziten shumë kur u vihet një gjobë, por Rruga e Elbasanit ka vetëm dy korsi. Kur deputetët zënë një korsi të tërë, vetëm 10 mund të parkojnë. Por, ka edhe 130 kolegë të tjerë që pengohen prej kësaj. Ndërkohë, ka edhe 1 milionë e 300 mijë të tjerë që, në një ditë, përveç rezidentëve, plus turistët, që pengohen prej asaj shkeljeje. Për çdo njeri që mërzitet, gëzohen 1 mijë të tjerë, që duan ligj dhe duan ta shohin Policinë Bashkiake si aleaten e tyre më të madhe. Qëllimi im është që ta kalojmë këtë certifikim çdo një apo dy vjet, sepse është shumë e rëndësishme që standardet që kemi, të mos i ulim poshtë. Sot nuk ngacmon njeri dikë që shet lule apo që shet libra në Tiranë, ama dikë që zë gjithë parkimin e lagjes për të bërë një biznes informal, sigurisht që ai nuk mund të jetë aleati ynë. Dikush që ende në 2024 pretendon të ndërtojë pa leje, nuk mund të jetë aleati ynë. Dikush që shkakton zhurmë në komunitet dhe për qejfin e muzikës së tij fëmijët duhet të rrinë pa gjumë e pa bërë detyrat, ai sigurisht që s’është aleati ynë. Për sa kohë që aleancën e kemi me qytetarët, ju garantoj se ‘DEKRA’ dhe institucionet e tjera do të na certifikojnë me sukses. Ishit ju të parët [punonjësit e Policisë Bashkiake] që na sinjalizuat se, një nga kompanitë private të mbledhjes së mbetjeve nuk po kryente detyrën siç duhet. Më mirë një fund i tmerrshëm, se një tmerr pa fund. Ndaj, dua t’ju vlerësoj për faktin se përveçse shkëlqeni në punën tuaj, ndihmoni edhe agjenci të tjera të bashkisë të bëjnë punën e tyre”, tha Veliaj.
Më tej, kryebashkiaku u ndal edhe te porositë për vitin e ardhshëm, kur Tirana do të mbajë titullin “Kryeqyteti Mesdhetar i Kulturës dhe Dialogut”, me mbi 1 mijë aktivitete nga shtete dhe kultura të ndryshme. “Ne patëm një super histori suksesi me Tiranën ‘Kryeqyteti Europian i Rinisë’ përpara dy vitesh, pastaj si ‘Qyteti Europian i Sportit’ para një viti, dhe këtë vit me Presidencën e B40. Por, vitin tjetër kemi një sfidë edhe më të madhe: Duhet të jemi Kryeqyteti Mesdhetar i Kulturës dhe Dialogut. Në Tiranë do të zhvillohen rreth 1 mijë aktivitete, çdo ditë do të ketë 3-4 aktivitete të mëdha, nga mbi 40 e ca vende që përfaqësojnë bashkimin e Mesdheut. Është një organizatë politike e të gjitha shteteve, por përfshin përveç vendeve të Europës, edhe një pjesë të vendeve të veriut të Afrikës dhe një pjesë të vendeve të Lindjes së Mesme”, tha kryetari i bashkisë.
Drejtori i menaxhimit të DEKRA-s, vlerësoi sigurinë e Tiranës për turistët që kanë vizituar kryeqytetin, duke e cilësuar këtë një arritje mjaft domethënëse. “Ju jeni një vend i bukur. Ju meritoni të jeni pjesë e Bashkimit Europian. Do të njoftoj kontributin kontributin e zotit Veliaj, kryetarit tuaj të bashkisë dhe ekipit të tij se ata e njohin rëndësinë e këtij procesi, në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Kjo do të thotë të arrish standarde. Standarde që në fund duhet të jenë rezultat i një jetese më të mirë në Shqipëri. Gjithashtu detyra juaj është të kontribuoni për sigurinë e të gjithë mysafirëve që vijnë nga jashtë dhe qytetarëve të qytetit të Tiranës. Nëse keni bërë kërkime në internet, do të zbuloni se rezultatet për kënaqësinë e turistëve janë shumë të larta. Sa i përket sigurisë në Tiranë, ajo është në krye. Pra, kjo është një arritje vërtet shumë domethënëse e të gjithëve juve, zotit kryetar bashkie dhe ekipit të tij”, deklaroi ai.
Pak ditë më parë, kompania gjermane DEKRA vlerësoi me certifikatën ISO-9001 edhe punën e aparatit qendror të Bashkisë së Tiranës. DEKRA, është sot një nga organizatat kryesore të ekspertëve në botë, me shërbim të kualifikuar dhe të pavarur, e cila punon për sigurinë në më shumë se 50 vende.