Kryetarja e Preshevës, Ardita Sinani, përmes një postimi në rrjetet e saj sociale ka bërë me dije se është ndaluar sërish në kufirin e Tabanosit nga policia serbe.
Ajo kërkoi që autoritetet përkatëse të reagojnë për veprimet e tilla të shtetit serb, që sipas saj, po bëhen ndaj shqiptarëve të Luginës së Preshevës, të cilët i konsideron si shkelje e drejtave të njeriut.
Më tej, Sinani thekson se veç ndalimit që i është bërë pa asnjë paralajmërim, ajo gjithashtu bën me dije se edhe makina me të cilën ajo po udhëtonte është kontrolluar detajisht.
“Sot kalova kufirin e Tabanosit, kur përveç ndalimit të zakonshëm ka ndodhur diçka që nuk është përsëritur më parë, makina zyrtare e Komunës së Preshevës u kontrollua në detaje deri në atë pikë sa edhe ulëset e makinës janë kontrolluar në imtësi, dhe pavarësisht reagimit tim, ndalesa ka vazhduar pa ndonjë arsyetim të qartë dhe ky incident është dëshmi e qartë se edhe pas kaq shumë ankesave dhe kërkesave për përgjigje nga institucionet relevante, përfshirë edher reagimin e faktorit ndërkombëtar situata po mbetet po aq shqetësuese, fatkeqësisht ata ende nuk po reagojnë”, tha Sinani. /vizionplus.tv