Policia spanjolle tha të shtunën se shkatërrroi një nga organizatat kriminale më aktive, që drejtohej nga shtetas shqiptarë dhe sipas hetimeve kryente trafik ndërkombëtar të kokainës në lindje të Spanjës.
Sipas komunikatës zyrtare të policisë, agjentët e antidrogës kanë arrestuar 17 persona në provincën e Valencias dhe më shumë se 820 kilogramë kokainë janë sekuestruar në operacione të ndryshme.
Polica spanjolle thotë se mes të arresturve është edhe drejtuesi i grupit, i njohur nga agjentët për kontaktet e tij në Amerikën Latine, Evropë dhe Dubai.
Gjatë kontrolleve policore ndër të tjera janë sekuestruar edhe rreth 226 mijë euro, tre aparate për zbulimin e pajisjeve elektronike GPS dhe 13 automjete.
Operacioni “Aleanca e përbashkët” është zhvilluar për gati muaj, ndarë në tre faza. Fillimisht, thotë policia spanjolle, u identifikua drejtuesi i organizatës, i cili drejtonte disa kompani në Spanjë.
Në korrik të vitit të kaluar, hetuesit zbuluan dy automjete që i përkisnin organizatës në qytetin L’Eliana, provincën e Valencias, ku gjithësej efektivët gjetën 100 pako me kokainë.
Agjentët arrestuan dy drejtuesit e mjeteve të cilët kryenin funksionin e “korrierëve” për të kryer udhëtime dhe për të dorëzuar lëndën narkotike në grupe të tjera të trafikut të drogës.
Faza e dytë u zhvillua shtatorin e vitit të kaluar, kur një tjetër automjet i grupit kriminal u kap pasi u arratis me shpejtësi dhe goditi agjentët e policsë dhe u lokalizua pak kilometra më tutje ku ishte braktisur me 50 kilogramë kokainë brenda.
Faza e tretë u zhvillua gjatë muajit janar, në qytetin Benicassim. Agjentët zbuluan një furgon dhe një automjet që i përkisnin organizatës kriminale. Pas ndërhyrjes, drejtuesi i furgonit tentoi të largohej me vrap por u kap nga efektivët e policisë. Brenda furgonit u gjetën të fshehura në kuti kartoni 320 kilogramë kokainë.
Në përfundim të operacionit polica spanjolle thotë se u kryen tetë kontrolle në banesat dhe vendet e përdorura nga anëtarët e rrjetit, duke evidentuar sekuestrimin në njërën prej banesave të 350 kilogramëve lëndë narkotike si dhe më shumë se 200 mijë eurove.
Gjykatat spanjolle kanë urdhëruar për të gjithë të arerstuarit masën e “arrestit me burg”.
Sipas hetimeve policore të EUROPOL-it dhe raporteve nga agjencitë ligjzbatuese europiane rrjetet shqiptare janë bërë aktive kohët e fundit duke transportuar nga Amerika Latine, kryesisht Ekuadori për në Europë, sasi të mëdha kokaine./voa