Avokati Sokol Mëngjesi, disa muaj pasi u dhunua, është rikthyer në zyrën e tij të punës.
Mësohet se Mëngjesi ka firmosur një deklaratë noteriale për të vërtetuar se i ka normalizuar marëdhëniet me Dritan Nanon, i cili dyshohet se ka porositur dhunën ndaj avokatit.
Gjithsesi, bëhet me dije se normalizimi i marrëdhënieve mes palëve nuk ndikon në procesin penal.
Prokuroria e Tiranës, e cila është duke kryer hetimet thekson se akt-ekspertimi i parë që është dërguar nga mjekësia ligjore e ka përcaktuar si “plagosje e rëndë” dhunën ndaj avokatit.
Prokuroria ka dërguar në IML edhe 3 pyetje të tjera shtesë për të cilat ende nuk ka marrë një përgjigjie zyrtare.
Sipas ligjit, normalizimi i mardhënieve mes dy palëve në konflikt mund të ndikojë vetëm në rast se akt-ekspertimi i bërë palës së dëmtuar klasifikohet si plagosje e lehtë.
Sokol Mëngjesi u dhunua më 29 maj të këtij viti sapo la të birin në kopsht. Autorë të sulmit janë Romario Tabaku, Elton Kasaj, Drivald Alija dhe Dorian Alia. Ky i fundit u vetëdorëzua në polici pas ngjarjes dhe pranoi para hetuesve se ishin ata që organizuan sulmin.
Alia deklaroi se e kishin ndjekur avokatin dhe rrinin vazhdimisht duke komunikuar me agresorët e tjerë për lëvizjet e tij.
I riu ka pranuar se dhuna ka ardhur si pasojë e konfliktit të lindur mes tyre dhe avokatit për pjesën e pagesave të kontratës për pronën.
Nga ana tjetër, Dritan Nano, ka mohuar të jetë porositës i ngjarjes duke mos pranuar të bashkëpunojë me hetuesit, edhe pse këta të fundit janë të bindur që ai është organizatori kryesor./vizionplus.tv