Kthimi në Shqipëri i 816 tonëve mbetje që dyshohet se janë toksike kanë ngritur një debat të madh. Mbetjet kanë dalë nga Porti i Durrësit me destinacion Tajlandën, e më pas u rikthyen sërish në Shqipëri.
Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, njëherësh edhe zv.kryeministre Belinda Balluku në një dalje për mediat pas përfundimit të mbledhjes së qeverisë ka shpjeguar këtë çështje, duke hequr përgjegjësinë nga Porti i Durrësit.
Lexo edhe :
Related Posts
“Çështja ka marrë emrin Porti i Durrësit por Porti i Durrësit dhe mbetjet janë dy gjëra të ndryshme,. Transporti i mbetjeve në Shqipëri ka nisur që në 1998. Ka një protokoll të mirëfilltë për të cilën ministria e Turizmit e ka bërë të ditur. Nuk është asgjë e re. Ka eksport të mbetjeve të rrezikshme. Ka qenë një procedurë normale deriu kur mori këtë përmasë mediatike. Autoriteti Portual i Durrësit nuk ka lidhje me këtë proces dhe janë procesuar nga koncensionarët e huaj” deklaroi sot Balluku në përfundim të mbledhjes së qeverisë.
Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi i është përgjigjur Ballukut përmes një deklarate.
Sipas Bardhit “prej kohës Porti i Durrësit është shndërruar në një han pa porta, që nuk kontrollohet nga autoritetet shtetërore, por nga krimi i organizuar”.
“Porti i Durrësit sipas “tortës Belinda” nuk ka asnjë përgjegjësi se çfarë hyn dhe çfarë del prej tij. Sipas Qeverisë kushdo me një vetëdeklarim, fut dhe nxjerr nga Porti i Durrësit çfarë të dëshirojë. Me pak fjalë, me vetëdeklarim kokaina mund të shënohet si miell; helmi mund të shënohet si bimë kurative; makina mund të shënohet si biçikletë; paratë e pista mund të shënohen si letra higjenike.
Në fakt prej kohës Porti i Durrësit është shëndërruar në një han pa porta, që nuk kontrollohet nga autoritetet shtetërore por nga krimi i organizuar. “Torta Belinda” e di më mirë se kushdo tjetër këtë, prandaj dhe nervozizmi, sulmi ndaj medias e opozitës dhe “faji i mbetur jetim” është e vetmja rrugë që i ka mbetur.
Afera e trafikut ndërkombëtar të mbetjeve të rrezikshme toksike nuk mund të realizohet kurrë pa mbështetjen, mosveprimin apo symbylljen e autoriteteve shtetërore. Edhe përgjegjësia, mosveprimi apo shkelja e ligjit nga entet private nënkupton mosveprim dhe mungesë mbikëqyrje nga autoritetet shtetërore që kanë lejuar abuzimin e privatit.
Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike do të përdor të gjitha mekanizmat e kontrollit parlamentar për zbardhjen e plotë të kësaj çështje, duke siguruar qytetarët shqiptarë se nuk do të lejojë në asnjë rast, që për shkak të një qeverisje kriminale dhe të papërgjegjshme të Edi Ramës, Shqipëria të jetë në një rrezik permanent për shkak të sasive të konsiderueshme të mbetjeve të rrezikshme brenda territorit shqiptar”, deklaroi Bardhi./vizionplus.tv