Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta në një deklaratë për media ditën e sotme ka përshëndetur projekt-rezolutën e miratuar dje nga PE për Shqipërinë, ku nënvizohej bashkëpunimi me opozitën.
Ai gjithashtu vlerësoi shqetësimin e shprehur për përhapjen e korrupsionit në të gjitha fushat e jetës publike dhe të biznesit.
Meta: Partia e Lirisë përshëndet Rezolutën e Komitetit Ndërparlamentar të Stabilizim-Asocimit. Vlerësoj gjuhën e drejtpërdrejtë të përshkrimit të situatës dramatike në vendin tonë, në veçanti diagonistikimin e duhur të të gjitha problematikave, në çdo fushë, që e kanë bërë të pamundur përparimin e vendit tonë në këtë proces.
Bashkëndaj të njëjtin qëndrim lidhur me nevojën ulëritëse të forcimit të llogaridhënies ndaj qeverisjes, sidomos përmes përdorimit të mekanizmit të mbikëqyrjes, përfshirë komisionet hetimore që janë një e drejtë kushtetuese dhe e pamohueshme e opozitës. Në Rezolutë theksohet me force se është jetik funksioni i kontrollit dhe i balancës që duhet të luajë Kuvendi, për shtetin ligjor dhe demokracinë në vend.
Vlerësoj lart shqetësimin e shprehur për përhapjen e korrupsionit në të gjitha fushat e jetës publike dhe të biznesit dhe në këtë drejtim nuk mund të mos vlerësoj angazhimin energjik të Partisë së Lirisë për denoncimin e çdo afere korruptive nga Qeveria dhe pushteti vendor i drejtuar nga “Rilindja” duke nisur nga afera e inceneratorëve, e Portit të Durrësit, koncesionet në shëndetësi, infrastrukturë e me rradhë.
/vizionplus.tv