Projekti i gazifikimit të qytetit të Korçës është ende në fazën paraprake. Kështu ka deklaruar nga Korça ambasadori i Azerbajxhanit në Shqipëri, i cili shtoi se vitin e ardhshëm pritet që nisma të konkretizohet.
“Jemi ende në bisedime me shtetin shqiptar, jemi në fazën që po përgatitim dokumentacionin dhe bazën ligjore. Këtë vit po finalizojmë këtë fazë, ka ende dhe pak punë, është projekt i madh ndaj ka pak burokraci dhe pas pak do të nisim dhe ideimin e projektit. Ne kemi dëshirë që projektin pilot ta kemi gati për vitin e ardhshëm”, tha ambasadori Anar Huseynov.
Për kryetarin e bashkisë së Korçës Sotiraq Filo, gazifikimi do të jetë projekti që do të sjellë infrastrukturën e Korçës në standarde europiane.
“Është një project nëpërmjet të cilit ne synojmë të japim një alternativë të përballueshme për të gjithë qytetarët e Korçës, për të zgjidhur ngrohjen e tyre gjatë dimrit e cila përveçse do të jetë e përballueshme, do të jetë edhe shumë miqësore me mjedisin”, tha Filo.
70% e këtij projekti do të përballohet nga qeveria shqiptare ndërkohë që pjesa tjetër do të jetë mbështetje nga ana e qeverisë së Azerbajxhanit./vizionplus.tv